Qëllohen 2 ushtarakë amerikanë në Karakas

29/05/2013 01:10

Dy zyrtarë të ushtrisë amerikane, të cilët punonin në Ambasadën amerikane në Karakas të Venezuelës, u plagosën gjatë të shtënave mëngjesin e së martës.

Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur se dy anëtarët e Ambasadës pësuan dëmtime, që nuk i rrezikojnë jetën, por nuk dha detaje më të hollësishme.

Zyrtarët e plagosur punonin në zyrën ndërlidhëse të mbrojtjes, në Ambasadë, sipas disa zyrtarëve amerikanë, të cilët refuzuan të identifikoheshin, për shkak të ndjeshmërisë së situatës.

Dy zyrtarët e plagosur ishin në një klub nate në veri-lindje të Karakasit, siç bëri të ditur një mjek i spitalit, ku ata u dërguan për ndihmën e shpejtë, në kryeqytetin e Venezuelës. Njëri ishte qëlluar në bark dhe në këmbë, ndërsa tjetri në bark, tha doktor Carlos Pacheco.

DASH nuk publikoi emrat e dy zyrtarëve, teksa nuk është vënë në dijeni të ndonjë arrestimit, siç tha zëdhënësi Patrick Ventrell, por ka nisur kontaktet me autoritetet lokale.

Siguria e Ambasadës dhe njësia e personelit për shëndetin u gjendën në spital dhe kanë komunikuar me familjarët e zyrtarëve, tha Ventrell.

Zëdhënësi nuk dha përkufizime se në çfarë lloj krimi ishin përfshirë dy zyrtarët, por u mjaftua të thoshte se gjithçka ndodhi në një vend publik.

Incidenti ndodhi në klubin “Antonella 2012”, tha Miroslava Gomez, një zëdhënëse e policisë, teksa këta të fundit dhe hetuesit kanë nisur kërkimet në klub, por nuk folën për reporterët jashtë tij.

Një shënim, i vendosur në derën e klubit, tregonte për një zonë “ku lejoheshin armët”.

Top Channel