Një takim përcaktues midis trajnerit të Milanit, Massimiliano Allegri dhe presidentit Silvio Berlusconi u anullua me vullnetin e këtij të fundit, e sipas mediave italiane, tashmë pritet vetëm konfirmimi për largimin e trajnerit nga stoli i kuqezinjve.
24 orë përpara se takimi i njoftuar që ditën e hënë të ndodhte në vilën e Berlusconit në Milano, presidenti njoftoi se do të vazhdojë të qëndrojë në Sardenja, ku po pushon në një tjetër pronë personale dhe nuk la një datë të dytë për realizimin e këtij takimi.
Ky anullim, duket se i jep fund edhe shpresave të drejtorit të përgjithshëm, Adriano Galliani, për të plotësuar hendekun midis Allegrit dhe Berlusconit.
Ndonëse i vlerësuar nga Galliani, i cili sheh tek Allegri një trajner të zoti, sidomos pasi arriti të përmbyste një fillim skandaloz duke udhëhequr klubin në kualifikimin e Champions sezonin e shkuar, Berlusconi asnjëherë nuk ka gëzuar ndonjë simpati të madhe për trajnerin e tij.
Tre herë ish-Kryeministri i Italisë nuk është dakord me zgjedhjet racionale të Allegrit, ndërsa dëshiron që t’i besojë klubin një prej ish-futbollistëve të Milanit që e ka bërë më shumë për vete dhe me të cilin ka një marrëdhënie të fortë miqësore, Clarence Seedorfit.
Top Channel