KE, “amnisti” fiskale për vendet në vështirësi

29/05/2013 16:20

Komisioni Europian informoi se do të lejojë disa prej anëtarëve të tij që të zbusin masën e shkurtimeve, ndërsa shqetësimi për rritjen ekonomike thellohet nga statistikat zyrtare të tremujorit të parë të 2013-s.

Në periudhën janar-mars, një rritje e shpresuar jo vetëm që nuk është kthyer, por në tërësi ka pasur shenja përkeqësimi, me dy ekonomitë kryesorë të Eurozoëns, Gjermaninë në stanjacion dhe Francën, zyrtarisht në recesion.

Në bazë të projektit të ri të KE-së, Francës, Spanjës, Polonisë, Portugalisë, Holandës dhe Sllovenisë do t’i akordohet më shumë kohë për të përmbushur reformat e detyrueshme fiskale dhe një listë shkurtimesh në administratë.

Konkretisht, Parisit i jepet edhe dy vite më shumë afat, për të reduktuar defiçitin buxhetor vjetor nën normën e lejuar të 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Vendeve të tjera, do t’u jepet gjithashtu më shumë kohë në dispozicion për të ndrequr buxhetin, realizuar shkurtime në administratë apo për të futur në fuqi rritjen e taksave.

Në deklaratën e tij, presidenti Jose Manuel Barroso bëri thirrje që të gjithë vendet përfituese të tregohen të vëmendshme për të përdorur sa më mirë këtë kohë shtesë i ofrohet.

“Aministia” nuk do të përfshijë dy vendet që aktualisht po vuajnë më shumë krizën e borxheve, Greqinë dhe Qipron, shtete që vazhdojnë të përfitojnë me miliardë euro për të shmangur falimentimin e plotë, në këmbim të reformave të thella të kursimeve.

Top Channel