Gjykata e OKB-së për krimet e luftës ka shpallur fajtorë gjashtë ish-liderë boshnjako-kroatë për krime dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftrave të viteve ’90 në Ballkan.

Ata janë dënuar për përndjekje dhe vrasje të boshnjakëve myslimanë dhe popullsi të tjera jo kroate, me qëllim krijimin e një shteti kroat në Bosnje.

Gjykata e Hagës ka dënuar kështu Jadranko Prliç, lider i shtetit të vetëshpallur, me 25 vjet burg. Ndërsa pesë të tjerët kanë marrë dënime që variojnë nga 10 në 20 vjet. Ata janë:

Bruno Stojiç, ish-ministër i Mbrojtjes i shtetit të supozuar, dënuar me 20 vjet burg;

Sllobodan Praljak, ish-kryetari i milicive, i dënuar me 20 vjet burg;

Milivoj Petkoviç, ish-kryetar i milicive, i dënuar po me 20 vjet burg;

Valentin Çoriç, ish-komandant i policisë ushtarake i dënuar me 16 vjet burg;

Berislav Pusiç, ish-drejtor i qendrave të burgimit i dënuar me 10 vjet burg.

Gjashtë të pandehurit pritet që ta apelojnë vendimin. Paneli i përbërë nga tre gjyqtarë mbështeti dënimin e gjashtë ish-liderëve ushtarakë.

Gjyqtarët vendosën se vrasjet, përndjekjet, dhunimet dhe torturat e myslimanëve nuk ishin kryer rastësisht nga ushtarë të padisiplinuar, por ishin pjesë e një plani për të zhvendosur myslimanët nga shteti i vetëshpallur Herceg-Bosnja në vitet 1993-1994.

Ata thanë gjithashtu se bëhej fjalë për një fushatë të motivuar etnikisht, duke treguar me detaje se si xhamitë ishin hedhur në erë dhe se si të burgosurit myslimanë detyroheshin me dhunë të recitonin lutje të krishtera.

Duke iu referuar dëbimit të dhunshëm të popullsisë myslimane nga pjesa lindore e qytetit të Mostarit, paneli tha: “Myslimanët u zgjuan në mes të  natës, u rrahën dhe u dëtyruan të braktisnin shtëpitë e tyre, shumica e të cilëve ende me pizhama. Mes tyre kishte gra dhe vajza 16-vjeçare që u dhunuan nga trupat e HVO-së, Këshilli Kroat i Mbrojtjes”.

Gjyqtarët vlerësuan gjithashtu se presidenti kroat, Franjo Tuxhman kishte luajtur një rol kyç në këtë plan, që synonte aneksimin e një pjese të territorit të Bosnjes për krijimin e Kroacisë së madhe. 

Top Channel