Anulohet Samiti i Ohrit

29/05/2013 00:00

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka anular samitin e presidentëve për Proçesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, që ishte caktuar të mbahej më 1 dhe 2 qershor në Ohër.

Këtë vendim Ivanov e ka ndërmarrë pasi shumica e presidentëve të futar në këtë samit kanë refuzuar pjesmarrjen.

“Interesi shtetëror dhe dinjiteti i Maqedonisë më shtyn që të sjell këtë vendim. Maqedonia ka vepruar në pajtim me të gjitha dokumentat themelore dhe u soll si kryesues i përgjegjshëm me këtë proçes. Për fat të keq, paragjykimet dhe komplekset e vjetra ballkanike sërish u gjallëruan në prag të samitit. Nuk do të lejoj që në kurriz të Maqedonisë të kthehen paragjykimet e vjetra ballkanike dhe që kjo të jetë një kusur i interesave të shteteve ballkanike, çmimin e të cilave ta paguajë vetëm Maqedonia. Sfidat zgjidhen me dialog dhe jo me bojkot”, deklaroi Ivanov.

Një ditë më parë presidenti shqiptar anuloi pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit për shkak të injorimit të Kosovës nga presidenti maqedonas. Duke komentuar këtë situatë, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, tha se pjesëmarrjen e Kosovës në samit e kanë bllokuar Serbia, Bosnja dhe Rumania.

“Pavarëisht se Kosova nuk është anëtare e kësaj konference, ajo ka patur mundësi të thirrej si vëzhguese sepse në një të ardhme jo të largët Kosova duhet të jetë anëtare e të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Kjo është frymë e vet marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj që do të ishte një porosi, një mesazh shumë i mirë dhe një përforcim i marrëveshjes”, nënvizoi Ahmeti.

Për shkak të mungesës së Prishtinës në samit, të mërkurën pjesëmarrjen e tij e ka anuluar edhe presidenti kroat. Ndërkohë, Greqia e Bullgaria mungesën e tyre e kishin paralajmruar kohë më parë.

Nëpërmjet një njoftimi të publikuar online, presidenti Bujar Nishani sqaroi bojkotin e tij duke thënë se: “Mungesa e ftesës drejtuar Republikës së Kosovës nuk është në frymën e marrëveshjeve rajonale, ashtu sikundër kanë rënë dakort vendet e rajonit dhe ato të Europës Juglindore për t’iu afruar integrimit në Bashkimin Europian”.

Më herët kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi deklaroi se mungesa e ftesës për Kosovën tregon se, në vendet e rajonit ekzistojnë ende mentalitete të vjetra që e kanë të vështirë të kuptojnë ndryshimet dhe nevojën e një partneriteti të ri.

 

Top Channel