Jonathan Moore, drejtor për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin
Amerikan të Shtetit, i shoqëruar nga ambasadori Arvizu dhe sekretarja politike e Ambasadës amerikane, zonja Jennifer Moore, e nisi vizitën e tij dyditore në Tiranë, duke u
takuar me kreun e opozitës Edi Rama, takim që zgjati më shumë se një orë.

Në përfundim të takimit Top Channel e pyeti zotin Moore nëse i kishte paraqitur një formulë zgjidhje Ramës për KQZ dhe nëse ai shpresonte në arritjen e një kompromisi për këtë çështje.

“Ky ishte takimi im i parë gjatë kësaj vizite. Takimet do të vijojnë gjatë ditës së sotme por edhe nesër. Në fund të vizitës, nesër në mbrëmje do të kem më shumë se cfarë t’ju them. Edhe në të shkuarën, ne e kemi shprehur qëndrimin tonë për zgjedhjet, sikurse edhe ambasadori ynë e ka bërë të qartë se duam që populli shqiptar të ketë besim në procesin elektoral, në institucionet dhe tek rezultati zgjedhjeve pas 23 qershorit që është duke afruar”, tha Moore.

Në një deklaratë për median, departamenti i komunikimit në PS thotë se “gjatë takimit u shkëmbyen mendime lidhur me rolin, gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të pavarura të administrimit të zgjedhjeve, përfshi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe problematikën, më të cilën ndeshet ai”. Në njoftimin për shtyp, PS citon Moore të ketë deklaruar se “SHBA do të ndjekin nga afër të gjithë procesin, si para, ashtu edhe pas zgjedhjeve, duke bërë thirrje dhe shprehur besimin, se të gjithë palët do të mbajnë parasysh interesat më të mira të popullit shqiptar, të respektojnë ligjin dhe të njohin rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar se procesi zgjedhor është i një rëndësie të veçantë”.

***

Moore zhvilloi një drekë pune, në vilën qeveritare numër 30 në Tiranë, me Kryeministrin Berisha. Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave thuhet:

“Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për angazhimin e  faktorit ndërkombëtar, e veçanërisht të SHBA në dërgimin e numrit më të madh të mundshëm të vëzhguesve”, – thuhet në në njoftimin e Këshillit të Ministrave, pas takimit Berisha-Moore. Në vijim të njoftimit bëhet me dije se në takim u diskutua edhe në lidhje me KQZ-në dhe nevojën për plotësimin e vendeve në të. “Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë që kjo çështje të zgjidhet sa me shpejt në zbatim të Kodit Zgjedhor. Kryeministri është shprehur gjatë takimit se, në kushtet kur Kuvendi nuk ka marrë ende vendim për të pranuar dorëheqjet dhe shpallur vakancat e tri vendeve të opozitës në KQZ, anëtarët e dorëhequr mund të rikthehen në detyrë menjëherë. Si alternativë, kryeministri theksoi se mazhoranca është e gatshme që, nëse opozita dërgon kandidatura të reja në Kuvend, t’i votojë ato në seancën e jashtëzakonshme të datës 30 maj”.

***

Pak më herët gjatë mesditës, Jonathan Moore zhvilloi një bashkëbisedim edhe me kandidatin për deputet të PD, zotin Eduart Selami, i cili pohoi se pjesë e bisedës ishte edhe ngërçi i KQZ-së. I pyetur nga gazetarët nëse zyrtari i DASH-it kishte sugjeruar gjatë takimit ndonjë alternativë të mundshme për zgjidhjen e ngërçit në KQZ, Selami theksoi se çështja e institucionit të zgjedhjeve është një çështje e brendshme, që u përket shqiptarëve dhe se duhet të zgjidhet mbi bazën e legjislacionit vendas.

“KQZ-ja është një problem që na takon ne shqiptarëve që ta marrim, mbi bazën e ligjit tonë. PD është e interesuar për funksionimin e KQZ-së me 7 anëtarë”, deklaroi Selami.

Gjatë vizitës së fundit në Tiranë muajin e shkuar Moore gjatë një konference shtypi në ambasadën amerikane deklaroi se “ka argumenta ligjorë që vënë në pikëpyetje votimin e Parlamentit për zëvendësimin e një anëtari të KQZ-së ai shtoi se Shtetet e Bashkuara duan të shohin KQZ-në të funksionojë”.

Moore takon Metën

Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore u takua me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Në fund të takimit zoti Meta doli në një konferencë për mediat, ku njohu gazetarët mbi ecurinë e takimit. Kreu i LSI-së tha se pjesë e bisedës së tij me zotin Moore ishte edhe ngërçi i krijuar në KQZ, por shtoi se ai kishte siguruar zyrtarin e lartë amerikan, se opozita është e vendosur të përmbushë detyrimet e saj ligjore në nivelet e tjera të administratës zgjedhore.

“Shprehëm interesin tonë që të vendoset besimi dhe integriteti për KQZ, por kam shprehur edhe vendosmërinë tonë për të marrë pjesë në të gjitha nivelet e tjera të administrimit të zgjedhjeve”, tha Meta.

Lidhur me deklaratat e fundit të kryeministrit Berisha mbi debatin mes tij dhe Ramës, Meta tha se debatet nuk janë një cështje parësore dhe se për momentin, kryeministri nuk duhet të tërhiqet nga zotimi për të votuar tre ligjet e integrimit.

“Berisha duhet të cojë përpara njëherë debatin me Ramën, ndërsa unë këtu jam dhe i gatshëm për debatet. Berisha duhet të kuptojë se është shumë e rëndësishme që të mos ndërrojë mendje për cështjen e 3 ligjeve dhe të kontribuojë për një legaci sa më pozitive të tij sa i takon standardit të zgjedhjeve më 23 qershor dhe më 24 qershor”, tha ai.

Top Channel