Rrëzohet gjuajtësi amerikan, parashutohet piloti

28/05/2013 15:55

Një helikopter japonez rikuperoi në Oqeanin Paqësor një pilot ushtarak amerikan, i cili u katapultua me parashutë nga gjuajtësi i tij “F-15”.

Avioni ushtarak, i cili shërbente në bazën e Kadenës në Okinaua, Japoni, pësoi një avari në fluturim dhe u rrëzua në Oqean, informoi të martën Flota Ajrore Amerikane.

Incidenti i regjistrua gjatë një stërvitje rutinë, 110 kilometra në veri të Okinauas.

Të lajmëruar nga baza amerikane, forcat japoneze të shpëtimit lokalizuan vendndodhjen e pilotit të parashutuar nga sinjali i pozicionimit global që ai kishte të instaluar në parashutë dhe e rikuperuan brenda një ore.

Gjendja shëndetësore e pilotit, identiteti i të cilit nuk u bë i ditur është optimale.

Hetime janë duke u zhvilluar për të gjetur arsyen e këtij incidenti.

Top Channel