Peniani, nismë “pajtimi” me Korenë e Jugut

28/05/2013 16:35

Korea e Veriut lajmëroi se do të zbusë sanksionet e vendosura ndaj shtetasve koreanojugorë, që janë përjashtuar nga mundësia për të vizituar apo punuar në kompleksin e përbashkët industrial të Kaesongut.

Në një lajmërim të Agjensisë Koreanoveriore të Lajmeve “KCNA”, këtë të martë shpallej se tashmë do të rilejohet të kalojnë kufirin për në qendrën industriale të gjithë biznesmenët apo specialistët jugorë.

Një zonë industriale në anën koreanoveriore të kufirit të përbashkët, ajo e Kaesongut i ofron shumë kompanive të jugut që të përdorin krahun tejet të lirë të punës në vendin komunist, ndërsa Koresë së Veriut i shërben si një burim i unik i grumbullimit të valutës së huaj.

Megjithatë, që prej muajit prill, si rrjedhojë e tensionimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve midis dy shteteve, Peniani vendosi që të përjashtonte të gjithë punëtorët dhe të shtetëzonte përkohësisht të gjithë aktivitetin industrial të Kaesongut.

Përveç lejimit të specialistëve, Peniani u shpreh se është i gatshëm të ulet në bisedime edhe për rifillimin e plotë të punës në Kaesong.

Ndërsa një nismë e tillë tregon qartë për një tentativë përmirësimi të klimës së marrëdhënieve nga shteti komunist, sipas specialistëve, është edhe një dëshmi e vështirëve ekonomike që ka krijuar mbyllja e këtij kompleksi vital për ekonominë e varfër koreanoveriore.

Një burim prej qindra milionë dollarë të ardhurash në vitë, Kaesongu është i vetmi vend në Korenë e Veriut ku lejohet biznesi privat, si dhe i vetmi burim fitimi i monedhës së huaj, tepër të domosdoshme për sigurimin e importeve jetike, përballë pamundësisë për të paguar me ëonin vendas, tejet të zhvlerësuar dhe të pakëmbyeshëm jashtë vendit.

Top Channel