Krasniqi: Serbia, lojë të dyfishtë

28/05/2013 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka akuzuar Serbinë se po
bën lojë të dyfishtë në lidhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Sipas tij, nga njëra anë Beogradi bën marrëveshje për të ecur përpara drejt BE-së, por nga ana tjetër nuk bën hapa përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Serbia vazhdon politikën e dy binarëve, në njërën anë sikur bën marrëveshje me ndërmjetësimin e Brukselit për të ecur në rrugën e integrimeve evropiane, kurse në anën tjetër nuk bën asnjë hap konkret për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën”, ka deklaruar Krasniqi.

“Marrëveshja është nënshkruar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por po të shohësh situatën, normalizimi mes dy vendeve nuk po arrihet”, ka vijuar ai në një intervistë për “REL”.

Krasniqi ka nënvizuar se zbatimi i marrëveshjes ka shumë sfida, duke e vënë theksin tek lufta ndaj kriminalitetit në veri dhe shtrirja e ligjit në atë zonë të vendit.

“Është sfida për të luftuar grupet kriminale në atë pjesë të Kosovës, sfida për të shtrirë sundimin e rendit dhe të ligjit atje dhe sfida për të funksionuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës në tërë hapësirën e vendit”, ka thënë kreu i Kuvendit.

Ai ka shtuar se sfidë tjetër janë pengesat që Serbia vendos për Kosovën, qoftë në raport me njohjet nga vendet e Bashkimit Evropian, qoftë në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Përsa i përket rolit të Kuvendit në bisedimet me Serbinë, Krasniqi ka thënë se legjislativi nuk është tërësisht i përfshirë, por i ka dhënë dritën jeshile zhvillimit të këtij proçesi.

“Me Kushtetutë gjërat janë shumë të qarta. Kuvendi ratifikon çdo marrëveshje që arrihet mes dy vendeve të pavarura ose marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo është e nevojshme”, ka shtuar Krasniqi.

Top Channel