Diabeti është një sëmundje që karakterizohet nga niveli i lartë i sheqerit në gjak. Ky nivel i lartë glukoze është i shkaktuar nga paaftësia e organizmit për të përdorur insulinën e vet për të tretur sheqerin.

Rrallë ndonjë sëmundje tjetër, në dukje kaq e butë, krijon ndërlikime kaq të rënda sa diabeti. Ai arrin të prekë dhe të dëmtojë heshturazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore të trupit, sidomos enët e gjakut, por edhe sytë, zemrën e madje edhe trurin duke krijuar probleme tragjike.

Njerëzit me diabet duhet të tregojnë një kujdes të veçantë për këmbët e tyre. Dëmtimi i sistemit nervor për shkak të diabetit është një ndërlikim i madh që mund të shkaktojë humbje të ndjeshmërisë në këmbë. Problemi prek 60-70% të njerëzve me diabet. Dëmtimi i enëve të gjakut gjithashtu do të thotë se këmbët nuk furnizohen mjaftueshëm me gjak dhe oksigjen.

Personat diabetikë nuk mund të ndjejnë lëndimet e vogla apo një flluskë të krijuar nga këpuca. Dëmtime të tilla shkaktojnë infeksione dhe rastet më të rënda çojnë deri në prerje të këmbës. Sipas një studimi të kryer në SHBA, deri në vitin 2025, në mbarë botën do të ketë mbi 380 milionë persona të prekur nga diabeti.

Në këto kushte, pasojat sociale mund të jenë të shumta, prandaj nevojitet kontroll i shpeshtë mjekësor. Nëse pësoni ndonjë lëndim, sado i lehtë të jetë, nuk duhet ta neglizhoni, por duhet të shkoni menjëherë tek një doktor.

Bujar Celo: Rreziku për të humbur këmbën si pasojë e diabetit

Ai nuk e kishte menduar kurrë se do të ishte një viktimë e diabetit. Bujar Celo u trondit kur mësoi se kjo sëmundje kishte avancuar aq shumë saqë kishin filluar t’i dëmtoheshin edhe këmbët.

“Mësova se vuaja nga diabeti 3-4 ditë para se të shtrohesha në spital. Diagnostikimi, kurimi dhe shfaqja e komplikacionit u bë për 3 javë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt”, thotë Bujari.

Ai tregon se kishte informacione rreth diabetit dhe pasojave që sjell ai, por shenjat nuk i ishin shfaqur kurrë. Gjithçka filloi me një pikë të zezë në gishtin e madh të këmbës. Duke menduar që ishte një dëmtim i shkaktuar nga këpucët, ai nuk i kushtoi rëndësi edhe pse ajo pikë vazhdonte të rritej çdo ditë.

“Unë e neglizhova, por kur u nxi tërë gishti i këmbës pata frikë. Përfundova në spital dhe bëra operacion”, tregon Bujari.

59-vjeçari nuk ishte vizituar kurrë për të mësuar nëse vuante nga ndonjë sëmundje. Ushqimet e zgjedhura dhe aktivitetet e shumta sportive nuk kishin lënë hapësirë për dyshime se mund të vuante nga diabeti: “Deri para dy muajsh unë bëja vrap tre herë në ditë.”

Diabeti është një sëmundje që mund të qëndrojë e heshtur për shumë kohë derisa pasojat të jenë të parekuperueshme. Dëmtimi i gjymtyrëve ka bërë që edhe në Shqipëri të merren masa. Në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” tashmë është ngritur një pavijon që kujdeset për këta pacientë.

Top Channel