Në Cmimin e Madh të Monakos, Sergio Perez (McLaren) ishte piloti që bëri disa parakalime spektakolare në një pistë ku është pothuajse e pamundur të parakalosh.
Piloti i ri meksikan fillimisht parakaloi në mënyrë agresive (në shikanin pas daljes nga tuneli) shokun e tij të skuadrës, Jenson Button. Më pas, në të njëjtën pikë dhe në të njëjtën mënyrë agresive tentoi të parakalonte Alonson (Ferrari), por spanjolli preu shkurt shikanin për të shmangur kontaktin dhe ruajti pozicionin. Gjithsesi, ai u detyrua që t’i linte vendin e gjashtë Perezit pasi manovra e tij mbrojtëse u konsiderua e parregullt nga komisarët e pistës.
Meksikani i McLaren vazhdoi sulmet e tij të guximshme edhe me Kimi Raikkonen (Lotus), por kësaj radhe nuk i eci dhe shkaktoi një aksident që pritej nga mënyra e tij e të pilotuarit në një pistë shumë të ngushtë si ajo e Monakos dhe braktisi garën.
Pas garës, Alonso e kritikoi ashpër Perezin, ndërsa Raikkonen, i cili u detyrua të futej në bokse dhe të përfundonte garën i dhjeti, e quajti “idiot”.
Por, Martin Whitmarsh, shefi i McLaren, i ka dalë në mbrojtje pilotit të tij: “Këto aksidente ndodhin shpesh në Monako. Unë jam i kënaqur me shpirtin e tij të garës dhe guximin.”
Ai mendon se një pilotim i tillë është i denjë për pilotët që duan të arrijnë majat: “Bëri disa parakalime madhështore. E falenderoj për faktin se po lufton në çdo garë. Ndonjëherë duhet të rrezikosh për të fituar.”
Top Channel