Mbrojtësi francez, Eric Abidal, do të luajë edhe për dy vjet, më pas do të rikthehet në strukturën organizative të klubit blaugrana. Me këtë njoftim është larguar Abidal nga Barcelona, pas 6 vitesh në “Camp Nou”.
Mbrojtësi francez, i cili ka luftuar e fituar kundër tumorit në mëlçi, do ta zyrtarizojë vendimin ditën e enjte, në një konferencë për shtyp, ku do të marrë pjesë edhe presidenti i katalanasve, Sandro Rosell.
Qëllimi i Abidal-it, të cilit i skadon kontrata në 30 qershor, është të vazhdojë të luajë për 1 apo 2 sezone, përpara se të “varë këpucët në gozhdë” dhe të hyjë në strukturën administrative të Barcelonës.
Abidal është operuar dy herë për të hequr një masë tumoriale në mëlçi, sëmundje e cila iu diagnostikua më 15 mars 2011 dhe vetëm 2 ditë më pas iu nënshtrua operacionit.
Më 28 maj të po atij viti, ai u rikthye të luante në finalen e Champions League, kundër Manchester United, gjatë gjithë 90-minutëshit, ku Barcelona triumfoi 3-1, teksa Carles Puyol i kishte dorëzuar shiritin e kapitenit në shenjë respekti, duke pasur kështu mundësinë të ngrejë i pari trofeun e kampionit të Europës.
Pas 1 viti atij iu shfaq sërish i njëjti problem, duke iu nënshtruar sërish operacionit më 10 prill 2012, këtë herë ishte kushuriri i tij që i dhuroi pjesë të mëlçisë. Ai u rikthye të luante sërish në tëtor të atij viti, por ishte vet lojtari, që bëri të ditur se parësore për të ishte rikthimi në kushte të shëndetshme, përpara se t’i rikthehej karrierës sportive.
Top Channel