Suedi, protestat, rikthehet qetësia në Stokholm

27/05/2013 15:50

Pas një jave trazirash në kryeqytetin suedez, Stokholm, rendi më në fund është rikthyer këtë të hënë, lajmëruan agjensitë ndërkombëtare të lajmeve.

Vrasja e një emigranti nga ana e policisë, në datë 18 maj, provokoi protesta të paprecedente në historinë e Suedisë, në disa prej lagjeve periferike, të banuara me shumicë nga emigrantë.

Si rrjedhojë, disa qindra makina e me dhjetëra dyqane iu vu flaka. Në manifestime, pati të plagosur në radhët e policëve, ndërsa disa dhjetëra huliganë u shoqëruan në komisariate.

Megjithatë, përballë përforcimeve të vendosura nga policia në zonat më problematike dhe shiut të rrëmbyer të dy ditëve të fundit, vala e protestave pothuajse u shua mëngjesin e së hënës.

Protestat janë motivuar nga vrasja prej policisë e një emigranti në lagjen e Hasbit, pjesa më e varfër dhe më shumë e populluar nga emigrantë e kryeqytetit suedez.

I dyshuar për disa krime të vogla, viktima u qëllua për vdekje gjatë javës së shkuar, pasi i rezistoi arrestimit dhe kërcënoi policët me një hanxhar.

Grupe të emigrantëve e konsideruan këtë ngjaje si të motivuar nga racizmi, ndërsa shoqata të të drejtave civile manifestuan kundër brutalitetit policor dhe atë që e konsideruan si një tejkalim të pajustifikuar të kufijve të vetmbrojtjes policore.

Nga ana e tij, kryeministri suedez, Fredrik Reinfeldt, deklaroi më parë se autoritetet do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, pa u frikësuar nga “huliganët” dhe pjesëmarrësit e protestave të dhunshme.

Protestat e kësaj shkalle nuk ishin regjistruar kurrë më parë në historinë moderne të Stokholmit, një prej kryeqyteteve europiane me nivelin më të lartë të sigurisë dhe rendit publik.

Top Channel