Francë, 100 të arrestuar në marshimin anti-gay

27/05/2013 16:10

Me dhjetëra mijëra francezë marshuan në Paris për të kundërshtuar një ligj të ri, i cili lejon çiftet homoseksuale që të martohen dhe birësojnë fëmijë.

Sipas vlerësimeve të policisë, 150-200 mijë manifestues u bashkuan në qendër të kryeqytetit, por organizatorët çmojnë se numri i pjesëmarrësve ishte rreth një milionë.

Në një incident të lokalizuar, mbështetës të ekstremit të djathtë u përplasën me forcat policore, duke detyruar përdorimin e gazit lotsjellës dhe arrestimin e rreth 100 personave.

Ligji i martesave të së njëjtës gjini u firmosur nga presidenti Hollande, pas një debati disa-mujor në Parlamentin Francez.

Javën e shkuar, një historian i njohur për bindjen e tij ultra të djathta vrau veten brenda katedrales së “Notre Dame”, duke lënë një mesazh në të cilin shkruante se nuk dëshironte më të jetonte në një vend ku homoseksualët mund të martoheshin.

Megjithatë, më shumë se martesave e çifteve të komunitetit LBGT, ajo që ka përçarë më shumë Francën, një vend me një traditë të fortë katolike, është e drejta që i jepet këtij komuniteti për të birësuar fëmijë.

Top Channel