Personat me aftësi të kufizuar kanë gjithmonë nevojë për mbështetje dhe midis atyre që i kanë qëndruar pranë është edhe Andrea , themeluesi i biznesit social dhe profesor i shkollës së Ëiesbadenit në Gjermani.
Pasdite – Zoti Heinecke, çfarë kuptimi ka kjo shkollë që ju keni krijuar?
Heinecke – Ka dy kuptime. Dialogu në errësirë nga njëra anë synon që të punësojë njerëz, pra kemi të bëjmë me punësim në shkallë globale të të verbërve. Deri tani kemi punësuar tetë mijë të verbër në 37 vende. Por, nga ana tjetër, synojmë gjithashtu që të ndryshojmë mendësinë që ekziston për të verbrit në përgjithësi. Mënyra se si e bëjmë ne këtë, është nëpërmjet “Dialogut në Errësirë”, që është një ekspozitë e mbajtur në terr të plotë. Kur hyn aty dhe ecën nëpër të gjitha hapësirat e projektuara si park, si qytet apo si bar, udhëhiqesh nga një i verbër. Pra ju, si një njeri që jeni në gjendje të shihni e humbni shikimin ndërkohë që udhëhiqeni nga një i verbër që është i stërvitur të shohë në atë mjedis dhe të manovrojë në terr. Pra, kuptimi është: punësimi dhe ndryshimi i botëkuptimit kundrejt të verbërve.
Pasdite – Çfarë ju ka frymëzuar në këtë projekt?
Heinecke – Frymëzimin e mora nga një takim me një koleg timin që është i verbër. Shumë kohë më parë punoja në një radiostacion dhe m’u kërkua një ditë nëse mund të imagjinoja një trajnim për persona të vebër. Kolegu im pati një aksident me makinë dhe humbi shikimin. Për shkak të kësaj përballjeje kuptova nga njëra anë aftësitë që kanë të verbrit dhe nga ana tjetër mendimin e opinionit publik për të verbrit. Ekziston një kontrast i madh mes këtyre të dyjave: të verbrit shihen si të brishtë, si njërëz në nevojë, si të sëmurë, me një jetë krejt pa vlerë. Mirëpo, kur përballesh me persona të verbër, e kupton pasurinë dhe madje edhe bukurinë e jetës së tyre edhe pse pa shikim.
Pasdite – Martin Buber ka thënë se e vetmja mënyrë për të mësuar është përballja. Si e konsideroni këtë?
Heinecke – Martin Buber ka thënë që mënyra e vetme për të mësuar është nëpërmjet përballjes. Patjetër që kam lexuar shumë libra në jetë dhe ajo që më ka mbetur prej tyre është pak a shumë asgjë. Megjithatë, nëpërmjet përballjes njerëzore, takimeve unë arrita të kem një tjetër botëkuptim. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është që të ndërtojmë një plaftormë me anë të së cilës personat që zakonisht nuk kanë rast të takohen, të mund të takohen. Kjo bëhet nëpërmjet ekspozitave dhe seminareve. Besoj se nëse ndërton një platformë apo një bazë për shkëmbime të tilla, atëherë edhe njerëzit do të arrijnë që të mendojnë ndryshe.
Pasdite – Dialog në errësirë, si mund të përmirësojë jetën e personave?
Heinecke – Në nivele të ndryshme. Patjetër që nga njëra anë ata fitojnë para. Të gjithë njerëzit tanë punësohen, ne nuk punojmë me vullnetarë. E dyta, imagjino sikur ti të lindësh e verbër dhe jeta jote të shihet si e mjerë dhe e varfër dhe je e izoluar gjatë gjithë kohës – si mund ta krijosh vetbesimin? Mirëpo kur papritur t’i je personi që kujdesesh për të tjerë që nuk janë të verbër, por që janë në errësirë, arrin që t’u tregosh atyre shumë për botën tënde. Kjo e rrit së tepërmi vetbesimin e të verbërve. Synojmë që të rrisim njëkohësisht edhe ndërgjegjësimin e personave të verbër për vlerat që ata kanë, sepse ata përqendrohen shumë tek paaftësia dhe kufizimi dhe ne dëshirojmë që t’i shndërrojmë ata nga marrës pasive në kontribues aktivë.
Pasdite – Kur është zbatuar projekti për herë të parë?
Heinecke – Hera e parë ishte në Frankfurt, në Gjermani dhe më pas u përhap. Deri tani ka 37 vende pjesëmarrëse. Flitet sigurisht për ndikim të shumëfishtë që shpërndahet në rrethana të ndryshme. Ne bashkëpunojmë me koorporata, me muze, festivale, teatro, universitete dhe nxisim shumë investues që të ndërtojnë ekspozitën e tyre “Dialog në errësirë”. Efekti është sigurisht punësimi për rreth 8 mijë vetë si edhe ndryshimi i mendësisë së 8 milionë personave në lidhje me verbërinë.
Pasdite – Çfarë impakti ka pasur ky projekt në Shqipëri?
Heinecke – Shqipërinë e kam në listën e pritjes. Do të dëshiroja shumë që ekspozita “Dialog në Errësirë” të hapej edhe këtu në Shqipëri sepse mendoj që është një kontribut me vlerë. Ju jeni një vend që po i nënshtroheni transformimeve të mëdha dhe mendoj se nuk duhet që t’i lini mënjanë të verbrit, por që t’i përdorni vlerat e tyre. Më duhet të pranoj, se aktualisht nuk e di gjendjen e tyre në Shqipëri, por ma merr mendja se është ashtu si kudo në botë: shumë keq. Pra, janë persona të përjashtuar, nuk kanë programe të veçanta për të mbështetur nevojat e tyre, mjediset nuk janë të aksesueshme dhe atyre ju duhet të pranojnë shumë pengesa. Nuk e di ende me hollësi gjendjen e tyre, por pres me padurim që ta mësoj.
Pasdite – Si mund të ndyshojë projekti situatën e tyre?
Heinecke – Shpresoj. Ajo që na duhet është një person që të kuptojë thelbin e programit dhe të tjerat vijnë automatikisht. Paratë vijnë më pas.
Pasdite – Ky projekt ju ka dhënë vëmendje në median botërore dhe në rrjetin e aktivistëve. Cilit ia dedikoni suksesin tuaj?
Heinecke – Mendoj, se ja kushtoj njerëzimit. Unë mendoj se jam duke dhënë një kontribut të vogël, s’mund të them për ta bërë botën më të mirë, por të paktën për mos ta bërë më keq. Pikërisht kjo është ajo që unë po përpiqem të bëj gjatë këtyre 25 viteve të fundit. Gjithë këto cmime është mirë t’i kesh por nuk kanë ndonjë kuptim, bëhen në shenjë mirënjohjeje dhe ndihmojnë paksa. Unë jetën time ja kam kushtuar këtij ndryshimi social dhe ndryshimit të botëkuptimit. Kjo është ajo së cilës i jam kushtuar 25 vitet e shkuara dhe do t’i kushtohem 25 vitet e ardhshme.
Top Channel