BE, armë për kryengritësit në Siri?

27/05/2013 15:25

Ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian janë duke debatuar mbi propozimin britanik dhe francez, për të zbutuar embargon e armëve ndaj Sirisë, me qëllim që të furnizohen kryengritësit që luftojnë regjimin e Bashar al-Assad.

Sipas Parisit dhe Londrës zyrtare, një veprim i tillë do të rrisë presionin mbi Damaskun, për të kërkuar një zgjidhje politike për të rikthyer paqen në vend.

Megjithatë, bisedimet pritet të jenë të vështira, pasi disa vende anëtare të BE-së janë tërësisht kundër përfundimit të embargos së armëve, e cila do të skadojë në 31 maj.

Ndërkohë, të hënën u regjistruan përleshje të tjera të dhunshme në Siri, ndërsa prova të tjera mbështesin besimin se regjimi është duke përdorur armë kimike për të fituar një avantazh në luftimet me kryengritësit.

Këto zhvillime vijnë në prak të samitit të Brukselit, ku falë ndërmjetësimit të SHBA-së, Francës dhe Rusisë, palët ndërluftuese në Siri do të dërgojnë delegacione, për t’u përpjekur për gjetjen e një formule të përshtatshme për vendosjen e një armëpushimi.

Pritet që problemi kryesor i këtyre bisedimeve të jetë e ardhmja e presidentit Bashar al-Assad, me rebelët që janë të vendosur në kërkesën e largimit të tij nga vendi dhe qeverinë që negocion për formimin e një kabineti të pajtimit kombëtar, ku Assad të vazhdojë të ketë një rol.

Deri më tani, lufta civile i ka kushtuar jetë të paktën 80 mijë sirianëve, me 1,5 milionë të tjerë që kanë lënë vendin si refugjatë lufte dhe rreth katër milionë që kanë humbur banesat e tyre, të shkatërruara nga luftimet.

Top Channel