E mbetur vetëm një hap larg finales së “Big Brother”, Rike mbërriti të dielën në studion e “Fan Club Albania”, për të treguar gjithçka ndodhi brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri në këndvështrimin e saj dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të publikut.
Eksperienca në “Big Brother” – Ashtu siç ishte e pritshme, biseda e Rikes me Albana Osmanin dhe Olti Currin nisi nga javët e kaluara në ndjekje të ëndrrës së famës dhe 100 milionëve. “Ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Aty brenda e kam njohur shumë veten, kam njohur gjëra që nuk i dija që i kisha, reagime të ndryshme. Nuk prisja të reagoja në disa mënyra, si në zënkën me shampot e kësaj jave. U acarova pak (Me Ilirin) dhe më vjen keq për këtë”.
Mosmiratimi i të dashurit – Për Riken, konfirmimi i lidhjes nga Luka, i dashuri të saj, ishte diçka shumë e rëndësishme. “Faktikisht isha shumë e tensionuar që kur të dilja nga Bigu a do ta gjeja sërisht me mua. Ne kemi shtatë vjet bashkë, janë shumë dhe e kisha frikë. Ai asnjëherë nuk e miratoi hyrjen time në shtëpi, ky ishte një problem mes nesh”.
Zënka me Ilirin – E bërë e famshme për atë atë shkëmbim të zjarrtë batutash në dushet e shtëpisë me Ilirin, një moment acarimi në të cilin Rike qëlloi me shampo konkurrentin tjetër, e reja tha: “Më ka nevrikosur dhe acaruar gjatë të gjithë javës, por siç patë ishte një provokim me duar dhe me fjalë të rënda. Më tha femër daun dhe injorante. Kishte të gjithë javën që më provokonte dhe ishte një akumulim nga ana ime. Kjo ishte dhe prova që s’ishte i sinqetë me mua dhe as aq mik sa thonte”.
Ndienja e Ilirit – “Nuk jam treguar e pashpirt në refuzimin tim”, vazhdoi Rike. “Iliri dhe Elona janë të vetmit banorë që nuk kam luajtur. I kam thënë që shakatë e tij s’më pëlqenin aq shumë, por ai është person që kur i thua jo bën edhe më keq. Iliri nuk e përtypte dot moskomunikimin deri sa arriti tek ofendimet. Kur të dalë nga shtëpia? Patjetër që do të flasim ndryshe. Mbase mund të takohemi, së bashku me Lukën dhe Anisën”.
Miqësia me Elonën – Brenda shtëpisë, Rike formoi një miqësi tepër të ngushtë me një nga konkurrentet. “Ajo është një vajzë shumë guximtare, ka shumë forcë. Është kështu sepse të tillë e ka bërë jeta. Megjithatë, Elona nuk ka qejf të flasë për gjërat e saj personale dhe edhe mua më ka folur shumë pak. Ajo më ka shkruar diçka për familjen e saj, ndërsa unë i kam thënë që i kam dalë vetë jetës për zot, kam punuar që në moshë të vogël dhe prandaj jam edhe unë guximtare dhe kurajoze”.
Ngjyra e lëkurës – Një ish-konkurrent i “Big Brother”, Torrosi dha një intervistë gjatë javës, në të cilën fliste në mënyrë të detajuar për Riken, familjen e saj dhe vendlindjen e tyre të përbashkët, Durrësin. Në një nga pasazhet e intervistës, duke iu referuar një përkatësie të komunitetit rom prej Rikes, ai e përshkruante si “braziliania e Durrësit”. Këtyre spekulimeve, Rike iu përgjigj kështu: “Nuk e di ku e ka guximin që flet për familjen time pa e njohur atë. E lexova intervistën dhe nuk është ajo lagjia ku jam rritur unë, informacionet janë shumë të gabuara. Përsa i përket komunitetit rom kam shumë respekt, por nuk jam nga ai komunitet. Përsa i përket ngjyrës, isha në Karaibe përpara se të vija në “Big” dhe prandaj mbase jam pak më e errët. Përpara se të fliste, ky person do të ishte më mirë të na njihte mua dhe familjen time”.
Ndërhyrje plastike – “Jam natyrale 100%. Nuk kam bërë asnjë operacion plastik ndonjëherë në jetën time”, tha Rike, duke mohuar zërat për ndërhyrje të tilla.
Shpjegimi i emrit – Emri i pazakontë i Rikes ka ngjallur shumë kureshtje. “Ky është emri i gjyshes dhe vjen nga emri i Perëndisë së Yjeve në antikitet. Megjithatë, gjyshja dhe unë në pasaportë quhemi Nife. Rike është një pseudonim, por kështu më quajnë të gjithë. Përveç emrit, i mora gjyshes edhe pseudonimin”, shpjegoi konkurrentja.
Top Channel