Heynckes: Ishim të destinuar të fitonim

26/05/2013 09:20

Për trajnerin e Bajernit të Mynihut, Jupp Heynckes, ngritja e kupës në qiellin e “Wembley” ishte një mënyrë e mrekullueshme për t’i dhënë fund karrierës së tij në krye të klubit bavarez.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, mes entuziasmit, 68-vjeçari komentoi se “thjesht kishte ardhur momenti”, që më në fund Bajerni i tij të ngrinte kupën e pestë të historisë së tij.

”Skuadra ishte e vendosur që të fitonte. Thjesht kishte ardhur momenti për Bajernin, për lojtarë si Robben apo Ribery, që tashmë nuk janë më të rinj”, tha Heynckes, i cili barazon Happel, Hitzfeld dhe Mourinho, si trajneri i katërt i historisë që fiton Champions me dy skuadra të ndryshme (më parë e ka fituar në drejtimin e Realit).

”Finalja ishte një ndeshje intensive për të dy ekipet, Borusia luftoi shumë dhe taktikisht, niveli i ndeshjes ishte tepër i lartë. Përgëzoj sinqerisht Dortmundin, pasi luajtën në një nivel të pabesueshëm”, shtoi trajneri gjerman.

”E kuptoj zhgënjimin e tyre, pasi humbën një finale, por në karrierën e një futbollisti dhe trajneri, ka gjithmonë ulje e ngritje. Pas humbjes në finalen e vitit të shkuar, duket sikur ishte fati ynë, sikur ishim të destinuar që të fitonim për sivjet. Ky ekip ka një meritë të jashtëzakonshme që pas atij zhgënjimi, u rikthye më i fuqishëm se kurrë sivjet”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA