Arjen Robben, një prej lojtareve më të kritikuar dhe të diskutuar të këtyre viteve të fundit i ka dhënë titullin kampion Europe, Bajernit të Mynihut, në një finale dramatike përballë Dortmundit.
Një gol dhe një asist i holandezit shërbeu për të prishur “magjinë e keqe” që po shoqëronte këtë skuadër në finalet e Champions League, ku më parë bavarezët kishin humbur dy herë në tre vjet.
Në një ndeshje të ekuilibruar dhe me shumë raste, ku secili prej dy portierëve Neuer dhe Ëeidenfeler bënë një paraqitje të mrekullueshme, u desh të pritej mesi i pjesës së dytë, për të parë zhbllokimin e rezultatit.
Pas një aksioni të ndërtuar me pasime, Robben arriti të depërtonte deri në thellësi të mbrojtjes së Dortmundit, nga ku në pozicion të prirët, i shërbeu Mandzukic, kroatit që me portën e boshatisur nuk mund të mos realizonte.
Disa minuta më vonë, djemtë e Klopp u rikthyen në lojë me një penallti, të shkaktuar nga Dante në dëm të Grosskreutz. Nga pika e bardhë, Gundogan riktheu barazpeshën dhe besimin e Borusias tek fitorja.
Megjithatë, kur ndeshja dukej e destinuar për të shkuar me kohën shtesë, në të 89’, pas një rivënie të gjatë nga Neuer, pranë zonës Muller shërben një top për Robben, i cili duke përfituar nga shpejtësia u fut në zonë duke lënë pas mbrojtësit dhe mposhti kapitenin Weidenfeler me zotësi.
Për holandezin, ky ishte shpagimi më i mirë për penalltinë e humbur një vit më parë në kohën shtesë të finales me Chelsea, e cila rezultoi vendimtare në humbjen e Bajernit.
Titulli i fituar mbrëmjen e së shtunës në “Wembley”, është i pesti në historinë e Bajernit, që tashmë barazon Liverpoolin, në vendin e tretë të klubeve më të suksesshme të historisë europiane, duke mbetur vetëm pas Realit e Milanit, me nga nëntë e shtatë Champions përkatësisht.
Top Channel