Vuçiç: Të shqetësuar për planin

25/05/2013 00:00

Nënkryetari i parë i qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se në Beograd ekzistojnë shqetësime në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes me Prishtinën.

I cituar nga mediat serbe, Vuçiç ka thënë se për këtë arsye nuk beson se gjatë së shtunës do të mbahet mbledhja e parashikuar e qeverisë, pas pajtimit që arritën në Bruksel kryeministrat Daçiç dhe Thaçi.

Vuçiç ka paralajmëruar se sot do të bisedojë me zyrtarë të caktuar ndërkombëtarë për ndryshimin e planit të zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

“Nuk besoj se sot do të mbahet mbledhja e qeverisë për shkak të shqetësimeve që ekzistojnë rreth zbatimit të marrëveshjes. Ndaj, sot do të bisedoj me përfaqësues të caktuar të bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që të fitoj edhe disa garanci për serbët në Kosovë”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka theksuar se ekzistojnë edhe ndryshime të planit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit që nuk kanë të bëjnë me institucionet paralele në Kosovë.

“Ndryshimet kanë të bëjnë me mosekzistencën e detyrimeve për ndryshimin e ligjeve kosovare, detajet teknike për Asociacionin e komunave serbe dhe pjesën statusore që do të garantonte ekzistencën e dokumentave serbe”, ka shtuar Vuçiç.

Më herët gjatë javës, nën ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, kryeministrat Thaçi dhe Daçiç ranë dakord në parim për planin e zbatimit të marrëveshjes.

Qeveria e Prishtinës e miratoi planin në fjalë ditën e premte, duke deklaruar se zbatimi i tij në tërësi do të bëhet brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Top Channel