Një ngjarje e cila kishte për qëllim shprehjen e vullnetit të mirë dhe dëshirën për paqe në gjithë botën, doli të mos jetë krejtësisht e tillë. Takimi i dhjetë i europës jug-lindore “Lutjet e mëngjesit”, i cili u mbajt këtë vit në Prishtinë u shfrytëzua nga Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Brendshme të Serbisë Vladimir Bozhovic për të shfaqur bindjet e tij politike.

Në prani të autoriteteve kosovare dhe mysafirëve nga vende të ndryshme të botës kryesisht kongresistë amerikanë, Bozhovic tha se nga perspektiva serbe “Kosova është Serbi”. Ai iu referua disa herë Kosovës me emrin Kosova dhe Metohija, ndërsa nuk nguroi të përmend kishat e djegura dhe serbët e shpërngulur pas luftës.

“Une sot flas në emrin tim personal dhe të birit tim, dhe të fëmijëve tuaj dhe në emër të së ardhmes sonë të përbashkët. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se ekzistojnë dy përspektiva mjaft të ndryshme, njëra është qe vjen nga serbët e Kosovës dhe tjetra ajo që vjen nga të gjithë serbët në botë kudo që jetojnë. Këndvështrimi i të gjithë serbëve anekend botës është se Kosova dhe Metohija janë zemra dhe shpirti i Serbisë. Përspektiva tjetër vjen nga shqiptarët e Kosovës të cilët konsiderojnë se Kosova dhe Metohija është shtet i ri dhe i pavarur. Këto dy përspektiva mjaf të larguara dhe të kundërta ne duhet t’i afrojmë me kohë”, tha Vladimir Bozhovic, Sekretar Shtetëror i Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Bozhovic ishte në fund të listës së politikanëve të cilët do ta merrnin fjalën në këtë takim dhe pavarësisht përmbajtjes ai mori duartrokitjen e gjatë të të pranishmëve.

Prezenca e përfaqësuesit të Serbisë, sikurse flamuri i këtij hteti i vendosur në mesin e 20 flamujve të shtetve mike, u vleresua me nota pozitive paraprakisht nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaci. Ai iu referua marrëveshjes së 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë si një ngjarje e cila përfundimisht do ta ndërtojë paqen në rajon.

Në të njëjtën linjë mendimi është edhe amabsasodrja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson.

“Per ne ne Amerike kjo eshte dita e kujtimit per ata qe luftuan per liri dhe demokraci, ndersa sot ne Kosove une vleresoj kurajon e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaci dhe atij te Serbise per t’u pajtuar dhe arritur marreveshjen, pavaresisht historise se veshtire dhe te marrin hapa te guximshem per te levizur perpara drejt nje te ardhme me te mire”, tha ajo.

Në mesin e 30 delegacioneve të cilat morën pjesë në lutjet e mengjesit të organizuar në Prishtinë morën pjesë edhe përfaqësuesit e Shqipërisë e cila në fakt është shteti i parë që ka organizuar lutjet e mengjesit në Europën Juglindore.

Në këtë organizim munguan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje derisa përfaqësues të tjerë të opozitës gjithashtu u bashkuan në mesazhet për paqe por para se gjithash theksuan nevojën për të punuar më shumë në ndërtimin e një shoqërie demokratike. Aktivitetet për “lutjet e mëngjesit” nisën të premten në një ceremoni në Kuvendin e Kosovës.

Top Channel