Në Prishtinë po mbahet takimi i 10-të i vendeve të Evropës Juglindore, Lutjet e Mëngjesit, ku marrin pjesë krerë shtetesh, ministra e deputetë nga gjithë rajoni, si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.

Sipas raportimeve të “RTK”, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë në fjalën e saj se vendimet e liderëve politikë kanë të bëjnë me problemet e përditshme dhe cilësinë e jetës së secilit qytetar.

“Republika e Kosovës është në një moment shumë të rëndësishëm të fuqizimit të shtetit, duke pasur prioritet interesin e çdo qytetari. Kosova sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Është model se si funksionon një shtet shumetnik dhe shembull konkret se si diversiteti është vlerë e një shoqërie”, ka thënë Jahjaga.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke kujtuar përpjekjet e institucioneve për t’iu përkushtuar paqes dhe pajtimit në rajon, ka përmendur marrëveshjen e 19 prillit të arritur në Bruksel me Serbinë. Sipas tij, me këtë pak do të mbyllet një kapitull i rëndësishëm që është veriu i Kosovës.

“Nga marrëveshja Kosovë-Serbi nuk ka të humbur. Me të fitoi paqja, fitoi Kosova, fitoi Serbia, fitoi rajoni, fitoi BE-ja dhe investimi i saj, SHBA dhe NATO”, ka deklaruar Thaçi.

Ai është shprehur se në të ardhmen, edhe Kosova edhe Serbia do të jenë pjesë e familjes së madhe euro-atlantike. Gjithashtu, Thaçi ka falenderuar të gjithë liderët politikë, përshirë ata opozitarë, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj, për mbështetjen që i kanë dhënë marrëveshjes me Serbinë.

Top Channel