Pas furnizimit me energji elektrike, korrupsioni konsiderohet si fenomeni, që pengon më së shumti investimet e huaja në Kosovë.

Në një tryeze më këtë temë, prokurorja kosovare Drita Hajdari përmendi raste, kur janë shkatërruar investime prej miliona eurosh në Kosovë, si pasojë e shpërdorimit të detyrës nga zyrtarë të caktuar dhe mashtrimeve të ndryshme.

Ajo tha se ka ngritur dy aktakuza, të cilat po presin gjykimin në mbrojtje të një investitori nga Mali i Zi, por kapitali i premtuar i të cilit nuk është investuar në Kosovë.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, tha se ka shumë raste, që denoncohen në polici, ndërsa në mesin e të dyshuarve për pengim në punën e investitorëve të huaj janë edhe disa zyrtarë policor.

Shefi i agjencisë anti-korrupsion, Hasan Preteni, kritikoi sistemin e drejtësisë në Kosovë se nuk po e lufton korrupsionin në masën e duhur. Ai publikoi fakte, që tregojnë se nga 273 aktakuza, të ngritura ndaj personave të përfshirë në korrupsion, për vitin 2012, janë dhënë vetëm 19 dënime me burg. Në mesin e tyre nuk ndodhet asnjë zyrtar institucional.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, përmendi faktorët e jashtëm ekonomikë, të cilët kanë ndikuar në rënien e investimeve të huaja.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës kanë treguar se investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie në vitin 2012, me 50 përqind.

Top Channel