Champions, sonte përballja Bayern-Borussia

25/05/2013 00:00

Kanë mbetur pak orë deri nga finalja e Ligës së Kampioneve. Një gjë
është e sigurtë që në Uembli një skuadër gjermane mes Bayern Munchen dhe
Borussia Dortmund do të shpallet mbreti i Europës në futboll.

Për shkak të fitores së bujshme ndaj Barcelonës bavarezët janë favoritë të parashikimeve të kësaj finaleje. Jupp Heynckes, trajneri që në qershor do t’ia lërë vendin pep Guardiolës kërkon të rikthejë pas 12 vjetësh këtë kupë te kampionët gjerman.

“Kemi disa lojtarë që janë 28-29 vjec, – ka shpjeguar Heynckes.- Ata janë një skuadër e vërtetë dhe nëse luajmë si të tillë sigurisht që do ta fitojmë ne trofeun. Do të luajmë finalen e tretë në këto vitet e fundit dhe këtë herë kupa duhet të vijë me ne në Mynih”.

Nga ana tjetër Jurgen Klop ka bërë një skuadër shumë simpatike, me djem të rinj të cilët mundën Realin e Mourinhos në gjysëmfinale. Në këtë finale do të mungojë Gotze, por trajneri i Borussia-s thekson se forca e skuadrës së tij nuk janë individët.

“Nuk mendoj që në këtë ndeshje duhet të jesh i fortë në mbrojtje apo në sulm,- ka pohuar Klop.- Kjo është një përballje të cilët mund ta fitosh duke bërë zgjedhjet e duhura në momentin e duhur. Të dyja skuadrat janë shumë të forta, prandaj kemi arritur të vijmë në Uembli”.

Trofeu i vetëm që ka fituar Borussia është ai i vitit 1997 kur mundi në finale 3-1 Juventusin, ndërkohë Bayern e ka fituar 4 herë dhe i fundit është në vitin 2001 kur mposhti me 11 metërsha skuadrën e Valencias.

Top Channel