Tregjet tronditen sërish

24/05/2013 01:10

Tregjet financiare globale pësuan rënie pas të dhënave të dobëta të ekonomisë kineze dhe frikës se Rezerva Federale amerikane mund të tkurrë stimujt e saj monetarë.

Të tatëpjetën në Azi e kryeson indeksi i Japonisë, Nikkei, i cili u mbyll në minus me 7,3%. Rrëshqitje pësuan edhe bursat europiane, nga të cilat ajo e Londrës, Frankfurtit dhe Parisit ranë me 2%.

Dow Jones-i në Shtetet e Bashkuara, që në hapje ishte 0,5% më pak. Ky tërmet i tregjeve vjen pas një periudhe të gjatë rritjeje të çmimeve, gjatë së cilës një sërë indeksesh prekën nivele të larta rekord.

Por, të dhënat e fundit treguan një ngadalësim të prodhimit në Kinë. Të martën, kreu i Rezervës Federale, Ben Bernanke, la të kuptohet se lehtësimi sasior, apo pompimi i parave në ekonomi me qëllim nxitjen e saj, mund të reduktohet.

Nga ana tjetër, edhe aktivitetet prodhuese e sektori i shërbimeve të eurozonës vazhduan kontraktimin në muajin maj, e një gjë e ngjashme ndodhi edhe në Amerikë.

Por, reduktimi i numrit të amerikanëve, që pretendojnë asistencën e përjavshme të papunësisë, dëshmon nga ana tjetër një tentativë rimëkëmbjeje të tregut të punës, çka ofron një tablo pak më të zbutur të gjendjes ekonomike atje.

Nisur nga statistikat kineze, ekspertët thonë se objektivi i Pekinit zyrtar, për të arritur këtë vit një nivel të rritjes ekonomike prej 7,5%, nuk do të përmbushet dot.

Top Channel