Trazirat në Stokholm, në flakë edhe shkollat

24/05/2013 15:20

Dy shkollave iu vu flaka në Stokholm, ndërsa trazirat që kanë përfshirë kryeqytetin suedez hynë në ditën e tyre të gjashtë.

Zjarrfikësit u thirrën për të shuar zjarrin që kishte përfshirë edhe 15 makina, dy kontenierë dhe një ndërtese, të gjitha të ndezura prej huliganëve që po realizojnë një seri protesta të dhunshme ndaj autoriteteve.

Në total, mbi 300 makina janë djegur që prej fillimit të protestave dhe disa dhjetëra janë arrestuar, që prej vrasjes së një qytetari nga ana e policisë gjatë së shtunës.

Qëndrat e trazirave ishin përsëri periferitë, të populluara nga shumë emigrantë.

Ndonëse situata në kryeqytetin suedez të pamësuar me ngjarje të tilla mbetet delikate, sipas mediave, protestat e natës dhe orëve të para të mëngjesit të së premtes duket se kishin një intensitet të reduktuar.

Protestat janë motivuar nga vrasja prej policisë e një emigranti në lagjen e Hasbit, pjesa më e varfër dhe më shumë e populluar nga emigrantë e kryeqytetit suedez.

Nga rreth 12 mijë banorët e Hasbit, 80% e tyre janë turq, arabë apo afrikanë.

I dyshuar për disa krime të vogla, viktima u qëllua për vdekje gjatë javës së shkuar, pasi i rezistoi arrestimit dhe kërcënoi policët me një hanxhar.

Grupe të emigrantëve e konsideruan këtë ngjaje si të motivuar nga racizmi, ndërsa shoqata të të drejtave civile manifestuan kundër brutalitetit policor dhe atë që e konsideruan si një tejkalim të pajustifikuar të kufijve të vetmbrojtjes policore.

Nga ana e tij, kryeministri suedez, Fredrik Reinfeldt, deklaroi të mërkurën se autoritetet do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, pa u frikësuar nga “huliganët” dhe pjesëmarrësit e protestave të dhunshme.

Protestat e kësaj shkalle nuk janë regjistruar kurrë më parë në historinë moderne të Stokholmit, një prej kryeqyteteve europiane me nivelin më të lartë të sigurisë dhe rendit publik.

Top Channel