Është problem i bardhezinjve, por për Michel Platini titujt e Juventus janë vetëm 29. Nga presidenti i UEFA-s nuk mund të pritej tjetër deklaratë, por ai i ka motivuar kështu fjalët e tij:
“I kuptoj tifozët, që nuk duan t’i humbasin ato 2 tituj, por ekziston drejtësia dhe janë disa rregulla, që i kanë hequr ato. Agnelli këmbëngul për 31? Llogarinë e saktë e ka Federata e Futbollit, vetëm ajo vlen, jo ajo që mendon Andrea Agnelli”.
Veç çështjes së diskutuar të trofeve, Michel Platini ka folur pozitivisht për klubin juventin. “Nuk është e lehtë të individualizosh një personazh me më shumë merita nga të tjerët, nga një kolektiv si ai i bardhezinjve. Agnelli po bën një punë të mirë, ashtu si përzgjedhjet e Conte-s dhe ata që kanë ndërtuar skuadrën”.
Një “kritikë” i është drejtuar Antonio Conte-s: “Dikur, yje ishin futbollistët, tashmë flitet vetëm për trajnerin. Kjo nuk është gjë e mirë. Conte është i rëndësishëm, por janë lojtarët, ata që fitojnë ose humbasin një ndeshje”.
Në fund, një koment edhe në lidhje me racizmin: “Italia është si gjithë vendet e tjera, nuk është raciste. Por, ka edhe persona idiotë, që janë të vështirë për t’u trajtuar, veçanërisht kur ndodhen në mes të 80 mijë personave. Ajo që bëri Rocchi në ndeshjen Milan-Roma ka qenë një xhest mirëkuptimi. Ndërprerja e ndeshjes më duket ide e mirë, për këtë i bëj komplimente gjyqtarit”.
Top Channel