Kerry, i kënaqur me Lindjen e Mesme

24/05/2013 21:20

“Shumë produktive”. Kështu i ka cilësuar bisedimet e zhvilluarra me zyrtarët izraelitë e palestinezë sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili vizitoi për herë të katërt rajonin e Lindjes së Mesme.

“Ka ardhur momenti që liderët të marrin vendime të vështira”, ka deklaruar shefi i diplomacisë amerikane pas takimeve me kryeministrin izraelit Benyamin Netnayahu dhe liderin palestinez Mahmoud Abas.

Ndërkohë, Kerry ka lëshuar fjalë skepticizmi në lidhje me zgjedhjet politike në Iran, pasi sipas tij vështirë se ato do të mund të konsiderohen të lira, të ndershme dhe të përgjegjshme pas vetove të vendosura nga lidershipi i Teheranit ndaj kandidaturave.

Gjatë qëndrimit në Izrael, Kerry i ka shprehur Netanyahut pakënaqësinë e Uashingtonit mbi vendimin e qeverisë për legalizimin e ndërtesave kolone në Bregun Perëndimor.

Bëhet fjalë për katër blloqe ndërtimesh kolone në Bregun Perëndimor, që sipas një plani të mëparshëm do të shembeshin. Kerry tha se vendimi nuk ndihmon në nisjen e bisedimeve të paqes mes Izraelit dhe Palestinës.

Ndërkohë, qeveria e Netanyahut është në presion nga opinioni publik për mbajtjen e premtimit elektoral, që ishte pikërisht vazhdimi i ndërtimeve kolone në Bregun Perëndimor.

Sipas edicionit online të së përditshmes “Maariv”, Kerry i ka kërkuar shefit të qeverisë së Tel Avivit që të njoftojë publikisht grirjen e planeve në Cisjordani.

Së fundmi mes Izraelit dhe Palestinës ka pasur tensione të shkaktuara nga disa sulme me raketa, të cilat në disa raste kanë lënë edhe viktima. 

Top Channel