Dëmtohet Muzeu i Alfabetit të gjuhës shqipe në Manasatir. Një grup huliganësh ende të paidentifikuar nga policia, mëngjesin e së premtes, rreth orës katër, kanë thyer dyert e hyrjes dhe xhamat e shtëpisë ku është mbajtur Kongresi i Alfabetit.

Pas futjes në brendësi të muzeut, në shenjëstër të vandalëve kanë qenë vitrinat në të cilat kanë qenë të ekspozuara dokumente historike për popullin shqiptar, disa prej të cilave janë shkatërruar. Zëdhënësi i qeverisë maqedonase, Muhamet Hoxha dënoi ashpër këtë rast dhe premtoi zbardhjen e tij.

“Institucionet e shtetit po punojnë për zbardhjen në tërësi të rastit, kapjen e autorëve dhe nxjerrjen e tyre para organeve të drejtësisë. Gjithashtu, qeveria e Maqedonisë do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që në një afat të shkurtër kohor të bëhet riparimi i dëmeve të shkaktuara nga ky akt vandal në këtë objekt të rëndësishëm historik për kombin tonë”, deklaroi Hoxha.

Aktin vandal e dënoi edhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni. “Vlerësojmë se ky akt i ulët e qyqar i qarqeve të caktuara maqedonase të ushqyera me albanofobi të skajshme edhe më tepër prish raportet ndëretnike që me aq mund po mundohemi t’i krijojmë si shoqëri multienetike. Ftojmë Tiranën dhe Prishtinën zyrtare që përfundimisht të përcaktohen për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në këto treva, ose të heqin dorë dhe të zhdukin një kujtesë historike që është kodi i identifikimit të shqiptarëve në përgjithësi”, deklaroi historiani Skënder Hasani.

Dëmtimi i muzeut të Kongresit të Alfabetit shqiptar ndodh në ditën kur në Maqedoni shënohet Dita e krijuesve të anlfabetit sllav, Shën Kirili dhe Metodi. Shtëpia e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir edhe në të kaluarën ka qenë në shënjestër të huliganëve.

Top Channel