Heynckes: Fitojmë ne, “Zotat” na kanë një borxh

24/05/2013 20:05

Besimi tek Bajerni është i palëkundshëm: Pas dy humbjeve në finale ndaj Interit dhe Chelsea, e treta do të jetë hera e duhur për t’u kurorëzuar më në fund kampionë të Europës, për të pestën herë në histori.

“Vitin e kaluar luanim më mirë se të gjithë, por përsëri nuk arritëm të fitonim. Këtë vit, kemi dominuar në mënyrë absolute çdo kompeticion ku kemi marrë pjesë. Jam i sigurt që do të fitojmë, “Zotat” e futbollit na kanë një borxh”, përmblodhi mendimet e tij në konferencë për shtyp trajneri Heynckes.

“Kjo nuk është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime”, shtoi 68-vjeçari, në prag të përballjes me Borusian. “Unë e kam fituar një Champions si trajner, ndërsa si futbollist kam festuar fitimin e një Botërori dhe një Europiani. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo vendimtare për një si unë”.

Trajneri, i cili në këtë finale ka ndeshjen e tij të fundit europiane në drejtimin e Bajernit (e parafundit, duke llogaritur finalen e Kupes se Gjermanise, ne 1 qershor me Stuttgartin), që sezonin e ardhshëm kalon në duart e Guardiolës, lëshoi një batutë edhe ndaj rivalit të tij Klopp. “Ndryshimi midis nesh? E para është mosha, që imponon edhe një eksperiencë shumë më të madhe timen në raport me të”, fjalët e Heynckes.

Schweinsteiger: Në finale, kulmin e perfeksionit

Në prag të finales së shumëpritur të Champions League, e para finale e
gjitha gjermane ndonjëherë në Europë, Bastan Schweinsteiger ka një besim
të palëkundur tek mundësia e Bajernit të tij për të ngritur në qiellin e
“Wembley” kupën e pestë në historinë e klubit.

“Kemi hedhur një hap të shkëlqyer në këtë sezon drejt perfeksionit. Kampionati dhe ky edicion i Champions ka treguar se jemi realisht ekipi më i fortë dhe tani ka ardhur koha që të bëjmë paraqitjen perfekte që jemi në gjendje të realizojmë në finale”, deklaroi mesfushori gjerman.

“Jam i sigurt që nëse luajmë në nivelin e potencialit tonë, atëherë do të jetë shumë e vështirë jo vetëm për Borusian, por për çdo skuadër në botë që të na mundë në këtë moment”, shtoi 28-vjeçari.

Sipas Bastianit, fakti që të dyja skuadrat njihen shumë mirë është një plus, por pavarësisht kësaj, tek Bajerni po e përgatisin finalen deri në detaje. “Ne jemi gjithmonë të bindur që mund të bëjmë gjithmonë edhe më mirë. Kjo është arsyeja përse stafi dhe futbollistët vazhdojnë të punojnë me një intensitet të pandryshuar, pavarësisht nga fitoret apo arritjet e tjera që kemi realizuar në këtë sezon”.

“Po e pres me padurim finalen, sepse e di se çfarë ekipi i fortë jemi dhe kam shumë besim tek fitorja”, komentoi Schweinsteiger.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA