Arrestohet djali tjetër i Kelmendit

24/05/2013 17:30

Policia malazeze ka vënë në pranga Liridon Kelmendin, djali i dytë i bosit ballkanas të drogës, Naser Kelmendi.

Sipas raportimeve të mediave ballkanase, Kelmendi është arrestuar në pikën kufitare të Kullës, në bazë të një kërkese të policisë së qytetit të Kotorit.

Për momentin nuk ka detaje të tjera mbi arrestimin e tij, por të dhënat pritet të zbardhen në orët e mëtejshme.

Naser Kelmendi, i dyshuar për krim të organizuar dhe vepra të tjera penale në Ballkan e më gjerë, u arrestua më 5 maj në Kosovë, në bazë të një urdhër-arresti të Interpolit.

Më datë 9 maj, me kërkesën e një prokuori të EULEX-it, Gjykata Themelore e Prishtinës urdhëroi mbajtjen e tij për një muaj në paraburgim.

Ndërsa disa ditë më vonë, djali tjetër i tij, Elvis Kelmendi, u shpall fajtor për tentativë-vrasje dhe u dënua me katër vjet burg nga një trup gjykues po në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Familja Kelmendi dyshohet për drejtimin e një organizate kriminale të madhe që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës dhe që në Evropë transportohet nëpërmjet Ballkanit.

Familja në fjalë dyshohet gjithashtu se zotëron një numër të madh biznesesh në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh.

Top Channel