Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi një takim me banorë dhe
fermerë të fshatrave Vukatanë dhe Kuc të Shkodrës, ku dëgjoi sugjerimet e
tyre, si dhe ndau projektet e ardhshme të Partisë Demokratike.

Zonja Topalli premtoi trefishim të subvencioneve për fermerët me qëllim nxitjen e prodhimit dhe punësimit.

“Ndryshe nga mandatet e tjera ne do të trefishojmë subvencionet në bujqësi. Domethënë do të japim para tre herë më shumë për të gjitha ata fermerë që aplikojnë”, tha Topalli.

Kodheli: Peshkimi i diskriminuar

Në një takim me peshkatarë në Shëngjin, kryesuesja e listës së deputetëve të Partisë Socialiste për Lezhën, Mimi Kodheli deklaroi se peshkimi është një nga sektorët e harruar nga Qeveria.

Sipas zonjës Kodheli produkti del me cmim shumë të lartë, pasi nafta nuk subvencionohet.

“Ne kemi premtuar dhe do ta bëjmë realitet heqjen e akcizës për naftën që përdorin peshkarexhat, heqjen e taksës së qarkullimit dhe heqjen e TVSH-së për naftën e këtij sektori. Ne do të heqim të gjitha taksat për të gjitha ato biznese të vogla ose jo që do të lindin në këtë sektor me ardhjen tonë në pushtet për tre vitet e para”, tha Kodheli.

PR prezanton kandidatin në Dibër

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka vijuar fushatën elektorale në Peshkopi, ku prezantoi kandidatin për deputet Shukri Shehu.

Për Mediun, më 23 qershor, qytetarët e Dibrës do të dinë të bëjnë dallimin mes politikave të djathta në shërbim të qytetarëve dhe politikave të liderit të opozitës Rama, që sic u shpreh ai, cojnë vendin në rrënim ekonomik.

“Keni dëgjuar Ramën, i cili flet për rritjen progresive të taksave. Me rritjen e taksave do të thotë që të mbyllen bizneset dhe mbyllja e tyre do të thotë rritje e papunësisë. Politika e Edi Ramës nuk është gjëtë tjetër vecse politika drejt një krize të re ekonomike”, tha Mediu.

Haxhinasto: Prioritet të rinjtë

Në një bashkëbisedim me studentë të universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan, kryesuesi i listës së kandidatëve të LSI-së për këtë qark, Edmond Haxhinasto cilësoi arsimimin dhe punësimin e të rinjve si prioritet të kësaj force politike.

Në këtë pikë, Haxhinasto vuri theksin tek edukimi cilësor bazuar në kërkesat e tregut të punës dhe punësimi i të rinjve universitarë që sapo diplomohen. Për të bërë të mundur këtë, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Rinore për Integrim propozojnë lehtësira fiskale, si ulje taksash dhe kredi të buta për bizneset të cilat punësojnë të rinjtë dhe për të rinjtë sipërmarrës. 

Lesi, takime ne Elbasan

Nga qyteti i Elbasanit ku prezantoi kandidatin për deputet të Lidhjes Demokristiane, Nikollë Lesi shpjegoi arsyet pse pranoi të jetë në koalicion me PD, edhe pse shumë herë ka drejtuar kritika ndaj qeverisjes 8 vjecare të kryeministrit Berisha.

Sipas Lesit, marrja e nje mandati të tretë nga e djathta është e vështirë por ai shprehu besimin se kjo do të arrihet me një diferencë fare të vogël. Më tej kryetari i LDK tha se partitë e vogla janë të detyruara të bëjnë koalicione me PD apo PS, pasi me këtë Kod Zgjedhor ato nuk kanë mundësi të përfaqësohen në parlament.

Prifti: PS-në e drejton Meta

Në qytetin e Fierit ku kandidon si deputet i pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit, Dritan Prifti deklaroi se drejtimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë e ka marrë Ilir Meta i cili sipas Priftit ka vendosur edhe për listat e kandidatëve të opozitës. Duke folur para simpatizantëve të tij, Prifti shkoi dhe më tej duke thënë se LSI është ‘kali i trojës’ në Partinë Socialiste dhe se pas zgjdhjve do të kthehet tek Berisha.

Dritan Prifti nuk la pa sulmuar edhe lista për deputetë të Partisë Demokratike që sipas tij kanë lënë jashtë figura që kanë dhënë shumë për qytetin e Fierit.

Top Channel