Suedi, përhapen trazirat në kryeqytet

23/05/2013 15:20

Një natë e katërt përleshjesh të paprecedenta në Stokholm u regjistrua të enjten, ndërsa trazirat në kryeqytetin suedez u zgjeruan në disa periferi të paprekura më parë.

Tre policë u lënduan pasi protestuesit qëlluan me gurë dhe sende të tjera të forta forcat e rendit, të cilët u bezdisën me lazera, ndërsa hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Trazirat më të këqija u regjistruan në jug të Stokholmit, atje ku edhe protestat nisën gjatë së shtunës.

Megjithatë, një zëdhënës i policisë, Kjell Lindgren, nuk deshi të identifikonte protestuesit si emigrantë apo vandalë, duke i thënë mediave se në të vërtetë, “ata përbëhen nga një miks personash përkatës të grupeve të ndryshme etnike apo racore”.

Të paktën 40 makina dhe disa restorantë u dogjën, në ngjarjet e mbrëmjes së shkruar dhe orëve të para të mëngjesit të së enjtes.

Protestat janë motivuar nga vrasja prej policisë e një emigranti në lagjen e Hasbit, pjesa më e varfër dhe më shumë e populluar nga emigrantë e kryeqytetit suedez.

I dyshuar për disa krime të vogla, viktima u qëllua për vdekje gjatë javës së shkuar, pasi i rezistoi arrestimit dhe kërcënoi policët me një hanxhar.

Grupe të emigrantëve e konsideruan këtë ngjaje si të motivuar nga racizmi, ndërsa shoqata të të drejtave civile manifestuan kundër brutalitetit policor dhe atë që e konsideruan si një tejkalim të pajustifikuar të kufijve të vetmbrojtjes policore.

Nga ana e tij, kryeministri suedez, Fredrik Reinfeldt, deklaroi të mërkurën se autoritetet do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, pa u frikësuar nga “huliganët” dhe pjesëmarrësit e protestave të dhunshme.

Protestat e kësaj shkalle nuk janë regjistruar kurrë më parë në historinë moderne të Stokholmit, një prej kryeqyteteve europiane me nivelin më të lartë të sigurisë dhe rendit publik.

Top Channel