Shtetet e Bashkuara mund të sigurojnë gjatë 5 viteve të ardhshme një të tretën e nevojave për naftë, ndërsa mund t’i përgjigjen deri pas 2 dekadash kërkesës së tyre për energji.
Rritja e rezervave amerikane të naftës është më e madhe nga sa mendohej, thonë ekspertë të Agjencisë Ndërkombëtare Energjetike, me seli në Paris, çka ndryshon krejtesisht rregullat e lojës.
Kjo do të thotë se, pavarësisht shtimit të importeve amerikane nga vendet e Gjirit Persik, vitin e kaluar, varësia e Shteteve të Bashkuara nga nafta e Lindjes së Mesme do të ndërpritet; një lëvizje e tillë do të ketë pasoja të mëdha, si në raportet ndërkombëtare, ashtu dhe në ekuilibrat e fuqisë.
Prodhimi i ardhshëm i arit të zi në Amerikë, sipas agjencisë në fjalë, do të trondisë tregjet globale të naftës. Fenomeni, siç shpjegojnë specialistët, i detyrohet shtimit të nxjerrjes së naftës nga formacionet shkëmbore në Shtetet e Bashkuara.
Një proces i tillë ka nisur kohë më parë, por këto 3 vitet e fundit ka mbërritur nivele tepër të larta. Nafta dhe gazi nxirren duke përdorur lëngje të presuara, për ta nxjerrë produktin nga shkëmbi, proces që njihet si frakturim hidraulik.
Disa shtete amerikane dhe vende europiane e kanë ndaluar këtë praktikë, nga frika se mund të shkaktojë ndotje të mjedisit e ndoshta edhe tërmete. Një teknologji e tillë do ta ndihmojë Amerikën të përmbushë nevojat e brendshme me naftë, deri në 2035-n, ndërsa prodhimi me gaz do të jetë më i lartë se ai rus.
Pavarësia energjitike, me të tilla ritme, nuk do të ketë më ndikim te politika e jashtme e Washington-it, sidomos përsa i takon Lindjes së Mesme. Në rast të një skenari të tillë, ka shumë gjasa, që vendet e Gjirit Persik të shtojnë eksportet e tyre të naftës drejt lindjes.
Top Channel