
Mësuesi të mëson alfabetin, të mëson të ndërtosh, artikulosh dhe të shkruash bukur gjithçka që sheh dhe mendon; mësuesi të jep edukatën dhe të nxit të hedhësh hapa të sigurt drejt një të ardhmeje me baza të forta në arsim dhe në shoqëri.
Ka dhe nga ata mësues që vendosin të sakrifikojnë dhe të udhëtojnë për çdo ditë disa kilometra, vetëm e vetëm që t’i japin dije brezit të ri.
“Kam 21 vjet që punoj si mësuese në fshatra të ndryshme të zonës së Shpiragut. Banoj në Berat dhe nisem që në 07:00 për në punë.” Këto janë fjalët e mësuese Adriana Laçkës, e cila ka lindur dhe jeton në Berat, por çdo mëngjes ajo udhëton drejt fshatit Mbjeshovë, të komunës Sinë të Beratit.
“Vështirë është të ngrihesh herët gjithmonë, por unë ndihem mirë sepse më nis dita me nxënësit. Jam e lumtur”, shprehet mësuesja.
Adriana është mësuese fizikë-matematike, kështu që i duheshin shumë mjete për t’i bërë të kuptueshme lëndët e saj. Që prej ditës së parë që është transferuar në këtë fshat, ajo ka ndërmarrë një inisiativë: “U mundova që me investimet e mia të bëja diçka sepse mësimi bëhet më i bukur kur ja konkretizon.”
Agush Cela është një nga prindërit më bashkëpunues, i cili ka ndihmuar në realizimin e kësaj ideje: “Ajo është munduar për t’i dhënë identitet kësaj shkolle. Ajo hoqi dorë nga paratë e saj për të bërë një laborator të vogël për nxënësit.”
Në një kohë kur studiuesit po përpiqen të gjejnë mënyra të ndryshme për të tërhequr vëmendjen e nxënësve tek shkolla, duket se kjo mësuese ka gjetur gjuhën e përbashkët. Ja çfarë thonë Bleona, Andi dhe Mbaresa: “Klasa jonë ka shumë pajisje tani dhe i mësojmë gjërat më mirë. Më parë nuk kemi pasur gjë sepse ka bërë një kabinet shumë të vlefshëm për ne.”
Duket se sakrificat nuk kanë shkuar dëm. Përkundrazi, asnjëra palë nuk bën dot pa tjetrën. E thënë në gjuhën e matematikës, nga kjo marrëdhënie është krijuar binomi mësues-nxënës.
“Sinqerisht, nxënësit më janë bërë pjesë e jetës. I ndjej në shpirt dhe vij në shkollë për të dhënë maksimumin tim”, thotë Adriana.
Top Channel