“Memorandumi i mirëkuptimit” për TAP-in

23/05/2013 00:00

Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina kanë firmosur një memorandum që konkretizon bashkëpunimin e 4 vendeve ballkanike për Projektin e Gazsjellësit Trans-Adriatik.

3 vendet e tjera nënshkruese, ky projekt gjigant nuk i prek, por nëse në fund të qershorit do të ketë një vendim në favor të TAP-it, nga ky projekt do të përfitonin indirekt edhe Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

Në ceremoninë e firmosjes nga Ministrat e Jashtëm, përvec kryeministrit Berisha, merrnin pjesë edhe 9 ambasadorë, përfshirë ambasadorin amerikan, ai i Komisionit Europian dhe i Azerbajxhanit, vendit nga ku do të vijë gazi.

Kryeministri Berisha tha se Gazsjellësi Trans-Adriatik është projekti me kosto më të ulët, duke marrë përparësi ndaj rivalit Nabuko.

Për të 4 vendet nënshkruese, TAP-i është projekt strategjik me rëndësi jetike për zhvillimin e mëtejshëm të tregut energjitik rajonal dhe europian. Më herët, Shqipëria ka firmosur një memorandum me Italinë dhe Greqinë, dy vende këto nga kalon gazsjellësi Trans-Adriatik.

Ky memorandum ishte një nga kërkesat e konsorciumit “Shah Deniz 2”, i cili ka në pronësi fushat gazmbajtëse në Azerbajxhan dhe është ky konsorcium që do të marrë vendimin se në cilin projekt do të shpenzojë 2 miliard dollarë për ta çuar gazin nga Deti Kaspik në Europën Perëndimore.

Tre janë projektet kryesore, njëri është TAP, që nga Azerbajxhani kalon përmes Turqisë dhe Greqisë e më pas në Shqipëri për t’u hedhur nga Adriatiku drejt Italisë. Projekti tjetër është South Stream, që ndahet në Bullgari në dy degë kryesorë, njëra në veri-perëndim drejt Serbisë dhe tjetra në jug-perëndim duke prekur Greqinë dhe i treti është projekti Nabuco. Në të dy këto projekte, Shqipëria anashkalohet.

                       Gjurmet e projektit Trans Adriatic Pipeline, TAP

Gjurmet e dy projekteve rivale te TAP, NABUCO dhe South Stream. Asnjeri prej tyre nuk prek Shqiperine

Top Channel