Masakrimi i ushtarit në Londër

23/05/2013 23:10

Muslimanët në Angli nxituan të distancohen nga episodi i tmerrshëm i masakrimit të një ushtari në rrugët e Londrës, të mërkurën, akt të cilin e dënojnë me forcë.

Ky veprim barbar nuk ka asnjë lloj baze në islam, tha në deklaratën e tij Këshilli Musliman i Britanisë, i cili u bëri thirrje si ndjekësve të kësaj feje, ashtu dhe jo-muslimanëve, të bashkohen në solidaritet për të mos i lënë forcat e urrejtjes të triumfojnë.

Mohamed Ansar, komentator për çështjet sociale e politike, apeloi për vetëpërmbajtje: “Ajo që pamë në rrugët e Londrës ishte e neveritshme, një akt vërtet i urryer kriminaliteti do të thoja, dhe jam i kujdesshëm këtu kur theksoj fjalën “kriminalitet” dhe jo terrorizëm”.

Ai thekson se motivi i asaj çfarë ndodhi në Woolwich nuk është sqaruar ende plotësisht dhe se në këtë situatë, gjërat duhen parë me qetësi, me sens mase dhe perspektive.

Nuk duhet të biem prè e reagimeve të momentit, të cilat do të përshkallëzonin tensionet, – thotë Ansar, – e të përflaknin ankthet e komuniteteve.

Përfaqësues të Komitetit Musliman të Çështjeve Publike, në Britaninë e Madhe, e përshkruan sulmin si shokues, por shtojnë se kur vjen fjala te frenimi i ekstremizmit në vend, kanë pësuar dështime si komuniteti musliman atje, ashtu dhe vetë qeveria britanike.

Të dhënat e censusit në 2011-n tregojnë se muslimanët përbëjnë grupin e dytë më të madh fetar në Angli, me të paktën 2,7 milionë persona, që do të thotë se numri i tyre është rritur me 1,2 milionë, krahasuar me 10 vjet më parë.

Top Channel