Maqedoni, nacionalizëm në fushën e futbollit

23/05/2013 00:00

Me vendim të Federatës Maqedonase të Futbollit, mbrëmjen e së mërkurës është ndërprerë ndeshja finale për Kupën e Maqedonisë midis skuadrës shqiptare Shkëndija nga Tetova dhe asaj maqedonase Teteks, për shkak të fyerjeve të rënda me baza entike nga tifozët e të dyja skuadrave.

Brohoritjet nacionaliste në tribunat e stadiumit “Filipi i Dytë” në Shkup kanë nisur që në fillim të ndeshjes. Tifozët e skuadrës maqedonase kanë kënduar në korr këngët e njohura antishqiptare të cilave i kanë bashkangjitur edhe thirrje “Dhoma gazi për shqiptarët”.

Nga ana tjetër, tifozët e Shkëndijës, “Ballistët”, kanë fishkëllyer himnin e Maqedonisë në fillim të ndeshjes dhe më pas kanë filluar brohoritjet “UCK”.

Ndeshja finale u ndërpre përfundimisht në minutën e 34, ndërsa paraprakisht, në minutën e dhjetë, gjatë një ndëprerjeje, lojtarët e të dyja skuadrave i kanë bërë thirrje tifozëve të ndalojnë ofendimet në baza entike, por këto tentativa kanë rezultuar pa sukses.

Artim Shaqiri, trajner i Shkëndijes, theksoi: “Ishte diçka jo e këndshme dhe shpresoj që të ndalohen sa më shpejt këto trazira që bëhen në sport. Mos të merren tifozët me ofendime, por të bëjnë tifo për ekipin. Nuk i fajësoj “Ballistët” sepse tifozët e Teteksit filluan të parët, por nuk dua që të gjykoj kush e bëri i pari dhe kush e nxiti gjithë këtë.”

Ndeshja finale për Kupën e Maqedonisë mes Shkëndijes dhe Tekstit pritet të zhvillohet ditën e dielë pa tifozë.

Top Channel