Shefi i misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e ligjit në Kosovë, Bern Borchard inkurajoi viktimat e dhunës seksuale gjatë gjatë luftës në Kosovë që t’i denoncojnë rastet në prokurori.

Ai kujtoi se dy persona janë arrestuar tetorin e vitit të kaluar si të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale gjatë kohës së luftës.

Këto komente shefi i EULEX-it i bëri në tryezën me temë debati “Qasja e grave në drejtësi”, e cila u organizua nga zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë.

Autoritetet e BE-së në kryeqytetin kosovar deklaruan se po e përcjellin me vëmendje debatin për femrat e dhunuara në Kuvendin e Kosovës dhe ligjin për këtë çështje.

“EULEX-i është i vetëdijshëm që kërkohet një guxim i madh nga gratë të cilat kanë qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës, në mënyrë që ato të raportojnë për rastet e tyre. Por ato kanë nevojë për përkrahjen e familjes e po kështu edhe ndihmë në aspekte të tjera. Miratimi i një ndryshimi në ligjin për viktimat civile të luftës, i cili përfshin dhunën seksuale është një tjetër hap në drejtimin e duhur”, deklaroi Borchard.

“Qasja e grave në drejtësi dhe të drejtat e tyre janë kriter i Kopenhagenit dhe si i tillë do të trajtohet edhe në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën, nëse Kosova e nënshkruan verën e këtij viti. Ne gjithashtu po e ndjekim debatin e ashpër rreth çështjes së viktimave seksuale të luftës, i cili po bëhet në Parlamentin e Kosovës”, deklaroi ndërkohë ambasadori i BE, Samuel Zhbogar.

Drejtoresha e Qendrës për Studime Gjinore në Kosovë, Luljeta Vuniqi kërkoi që femrat e dhunuara gjatë luftës të pranohen në kategorinë e viktimave të luftës. Zero tolerancë në dhunën ndaj grave është po aq e rëndësishme, sipas Vuniqit, sikurse zero tolerancë kundër korrupsionit.

“Që nga përfundimi i luftës, organizatat e të drejtave të grave kanë bërë presion, fillimisht tek UNMIK-u e më pas tek EULEX-i dhe tek institucionet e Kosovës që të adresohet urgjentisht nevoja që gratë e mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë të pranohen si viktima të luftës dhe nevoja që dhunuesit të dalin para drejtësisë”, deklaroi Vuniqi.

Në këtë tryeze morën pjesë edhe gratë deputete të Kuvendit të Kosovës. Fakti se Kosova rregullon të drejtat e grave me ligje por të cilat nuk zbatohen u pranua edhe në këtë tryezë.

Ndërkaq, sfida të tjera mbeten adresimi i dhunës familjare, trashëgiminë familjare të cilën femra nuk e gëzon dhe trafikimi me qënie njerëzore, ku femrat janë instrument për trafikim në të shumtën e rasteve.

Top Channel