“Ford” mbyll fabrikat në Australi

23/05/2013 00:00

Gjigandi amerikan i automjeteve “Ford Motor” do të mbyllë të gjitha
fabrikat e tij në Australi brenda tetorit 2016, pas më shumë se 85
vitesh aktivitet në këtë vend.

Rreth 1.200 punëtorë pritet të humbasin vendin e tyre të punës në dy fabrika në shtetin e Viktorias. “Ford” deklaroi se operacionet në Australi kishin shkaktuar humbje prej 600 milionë dollarësh në pesë vitet e fundit.

Gjithashtu, fuqia e dollarit australian e ka bërë prodhimin e automjeteve më të shtrenjtë, ndërkohë që shitjet kanë qenë nën presion.

“Kostot këtu janë dyfishi i prodhimit në Evropë dhe pothuajse katërfishi në Azi. Ky biznes thjesht nuk funksionon”, ka deklaruar shefi ekzekutiv i “Ford Australia”, Bob Graziano.

Ai ka shtuar se prodhimi i makinave në Australi nuk është i përshtatshëm për “Ford”, edhe pse vendi do të vijojë të importojë makina të markës.

Ndërkohë, Leigh Diehm nga Sindikata e Punëtorëve Australianë, ka deklaruar se punonjësit e dy impianteve ishin “të shkatërruar nga lajmi”.

“Ne do të bisedojmë me drejtuesit e “Ford” për të gjetur një zgjidhje dhe për të informuar punonjësit se çfarë do të bëhet në muajt dhe vitet e ardhshme”, ka dekalruar Diehm.

Nga ana e tij, zoti Graziano ka thënë se “Ford” i kishte shqyrtuar të gjitha mundësitë e tjera para se të bënte këtë njoftim “të vështirë”.

Dollari australian është rritur me 29 për qind kundrejt jenit japonez në vitet e fundit, duke i bërë produktet australiane më pak konkurruese.

Top Channel