
Përpara viteve ’90, kanë qenë të shumtë mësuesit që jetonin në qytet, por emëroheshin në fshatrat e largët, ku shpeshherë u duhej të ecnin në këmbë me orë të tëra ose edhe të flinin në shkollë.
Megjithatë, në ato vite nuk ka pasur vetëm vështirësi, por edhe momente të bukura që sot kujtohen me nostalgji. Kjo është historia e Tashës dhe Kadriut, është historia e dy mësuesve që u dashuruan kur jepnin mësim në të njëjtën shkollë fshati.
“Njohja jonë ka qenë krejt e rastësishme. Unë u transferova në një fshat dhe atje njoha në kolektivin e shkollës partneren aktuale”, tregon Kadriu.
Momentet e para kanë qenë më të bukurat e jetës së tyre.
“Bënim rrugën bashkë dhe ndanim shqetësimet e punës”, thotë zonja, ndërsa Kadriu kujton: “Në fillim e pashë pa ndonjë pikësynim të veçantë, por më pas ndryshoi situata kur kalonim orë të tëra bashkë në shkollë e duke bërë rrugën për në shtëpi.”
Në ditët e sotme shpesh bëhemi kuriozë, si krijoheshin lidhjet dhe si bëheshin propozimet në atë kohë.
“Dashuria mes nesh lindi në mënyrë reciproke derisa arriti momenti që ndjenja jonë duhej të bëhej e njohur sipas rregullave të familjarëve”, thekson Kadriu.
Ju është dashur të ecin në këmbë në kohë të mirë e të keqe, ndonjëherë duke rrezikuar edhe jetën e fëmijës që rritej brenda nënës-mësuese: “Bënim një rrugë dhie, ishte shumë e pjerrët dhe aty kalonin vetëm kafshë .”
Në rininë e tyre, asnjëri nuk e kishte menduar se do ta lidhte jetën me një njeri të të njëjtit profesion.
“Që do të lidhesha me dikë e dija, por nuk e mendoja me mësuese. Por, jeta nuk të pyet dhe nuk ka vlerë të ndërhysh për t’i ndryshuar rrjedhën”, shpjegon Kadriu.
Sot, ata kanë një jetë normale, por të bukur. Ngjyrat dhe nuancat kryesore të jetës ia dhurojnë frytet e dashurisë së tyre. Pasja e tre fëmijëve dhe realizimi i tyre në jetë e në shkollë është burimi i lumturisë për ta.
Top Channel