Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një deklarate, ka dalë për t’i kujtuar operatorëve radiotelevizivë detyrimin, që iu lind nga kodi zgjedhor, për dorëzimin në KQZ të tarifave zyrtare për transmetimin e reklamave politike, gjatë fushatës zgjedhore.
“Në bazë të nenit 84, pika 5, e kodit zgjedhor, operatorët radiotelevizivë detyrohen të dorëzojnë në KQZ, 5 ditë përpara fillimit të fushatës, tarifat për çdo segment kohor transmetimi. Siç kuptohet, ky afat ka kaluar, pasi afati i dorëzimit të këtyre tarifave ishte data 20 maj 2013, dhe asnjë nga operatorët radiotelevizivë nuk e ka respektuar këtë detyrim ligjor”, u shpreh zëdhënësja e KQZ-së.
Në respekt të ligjit dhe të opinionit publik, Top Channel ndjehet i cënuar dhe i detyruar, që të përgënjeshtrojë deklaratën e KQZ-së, e cila keqinformon publikun, duke nënvizuar se asnjë nga operatorët radiotelevizivë nuk e ka respektuar këtë detyrim ligjor.
Top Channel, jo vetëm që ka respektuar kodin dhe të gjithë afatet ligjore, por ka dorëzuar shkresën zyrtare me tarifat e reklamimit gjatë fushatës zgjedhore, që në datën 16 maj.
Shkresa është marrë dhe është protokolluar në këtë institucion në këtë datë, siç konfirmohet edhe nga korrespondenca që Top Channel ka pasur me zyrtarët e KQZ.
Deklarata e KQZ, në rastin më dashamirës, është tregues i pakujdesisë apo mosfunksionimit të administratës së KQZ.
Në këtë kontekst, Top Channel i kërkon Komisionit të tregohet i kujdesshëm në deklaratat dhe qëndrimet e tij dhe të mos dezinformojë publikun, duke cënuar e dëmtuar imazhin e Top Channel.
Top Channel