“Notre Dame”, tronditet Parisi

22/05/2013 01:20

Vetëvrasja e një 78-vjeçari brenda “Notre Dame”-it, katedrales simbol të kryeqytetit francez, ka tronditur Parisin, sidomos pas lajmit se autori ishte një historian i njohur i ekstremit të djathtë, fitues i shumë çmimeve.

Sipas policisë, Dominique Venner ka nxjerrë armën, me t’iu afruar altarit qendror, dhe ka qëlluar veten. Historiani nuk bëri asnjë deklaratë përpara vetëvrasjes, por pranë trupit të tij të pajetë u gjet një letër, përmbajtja e së cilës nuk është bërë e ditur.

Gjithë çfarë dihet për momentin është se 78-vjeçari ishte i përfshirë në fushatën kundër vendimit të qeverisë franceze, për të ligjëruar martesat mes personave të të njëjtit seks.

Me firmën e tij, presidenti Francois Hollande e ktheu, të shtunën, nismën në ligj. Mëngjesin e së martës, Venner kishte bërë komentin e fundit në blogun e tij kritik ndaj martesave gay.

“Veprime të reja afishuese e simbolike nevojiten për të zgjuar sonambulet nga gjumi e për të shkundur ndërgjegjen e fjetur. Po hyjnë në një periudhë, kur fjalët duhen pasuar nga veprime”, shkruante ai.

Venner ka qenë gjithashu ish-anëtar i organizatës Ushtria e Fshehtë, e cila iu kundërvu pavarësisë algjeriane, në fillim të viteve ’60, dhe u përpoq të vriste Charles De Gaulle-n.

Notre Dame është një prej vendeve më të vizituara të Francës dhe tërheq çdo vit mbi 13 milionë turistë, por masat e sigurisë atje janë relativisht të ulta.

Kjo do të thotë se, kur hyn në kishën madhështore, nuk e ke të vështirë të fshehësh një armë në çantën e shpinës.

Katedralja kremton 850-vjetorin e saj dhe, në momentin e vdekjes së Venner-it, duhet të ishte e mbushur plot me njerëz. Menjëherë pas incidentit, i gjithë vendi u evakuua me shpejtësi, edhe pse nuk pati probleme të tjera.

Top Channel