Meta: Kryeministrin e cakton Kushtetuta

22/05/2013 00:00

Ilir Meta, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pas një takimi që
pati me kryevëzhguesen e ODIHR Conny McCormack deklaroi se “suksesi i
këtyre zgjedhjeve është një mundësi e shkëlqyer për të ridimensionuar jo
vetëm pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë në raport me BE-në dhe për të
lehtësuar marrjen e statusit të vendit kandidat”.

Kjo ishte përgjigja e zotit Meta kur u pyet nëse ai ka ambicje për të qenë Kryeministër i vendit pas 23 Qershorit pas deklaratës së disa ditëve më parë nga Berati të Nasip Naços, i cili e sygjeroi një mundësi të tillë: “Nuk ekziston asnjë konfuzion në kampin opozitar, përkundrazi gjithçka ecën në sintoni të plotë. Sot opozita synon të arrijë 80 mandate në shkallë kombëtare dhe të fitojë me diferencë gati 200 mijë vota gjë që është plotësisht e mundshme dhe e realizueshme. Ndërsa për çështjen në fjalë, mendoj se është një çështje e zgjidhur, e zgjidh Kushtetuta, e zgjidh vota e qytetarëve shqiptarë. Ndërsa për premtimin e doktorit, se unë nuk ia marr dot karrigen dhe se ai nuk ka ndërmend ta lëshojë karrigen e kryeministrit, unë do të propozoj një kompromis tjetër doktorit për këtë çështje. Sepse ai nuk ka çfarë bën, do ta pranojë vullnetin e sovranit dhe do ta lëshojë zyrën, por karrigen që ka mbajtur përgjatë këtyre tetë viteve ta marrë me vete në shtëpi në studion e tij ose në Partinë Demokratike siç ka bërë edhe idhulli i tij Lech Walesa”.

‘Unë kërkoj tani që të zyrtarizohet procedura për çështjen e tre ligjeve’, tha Meta gjatë konferencës për shtyp. Dhe natyrisht që kjo të ndodhë, sipas tij,  në radhë të parë është në dorë të mazhorancës, e cila drejton edhe Parlamentin.

“Do të ishte edhe një tregues i përgjegjshmërisë së mazhorancës për fatet e vendit. Por në fund të fundit do të ishte edhe një kontribut që ata do të jepnin në procesin e integrimit evropian sepse në rast se nuk do të japin këtë kontribut tani dhe në rast se ligjet miratohen në shtator me 84 vota pa kontributin e tyre nuk do të ishte pozitive dhe diçka serioze. Prandaj, unë dua të besoj në angazhimin e Partisë Demokratike për të ndihmuar procesin e integrimit evropian. Nuk është koha tani për kritika dhe autokritika për këtë çështje”, tha Meta.

Duke folur për sondazhet elektorale Meta la të kuptohet se ai i beson më shumë të dhënave që LSI merr nga terreni. Meta mendon se nuk ka sondazh që e kap LSI-në duke theksuar se  “Të gjithë i kanë humbur bastet me LSI-në”. Për të apasionuarit e basteve politike Meta u jep këtë këshillë: “Do t’i humbasin më shumë këtë herë, të jeni të sigurtë”.

Top Channel