Bregu: PS-LSI, pazare me 3 ligjet

22/05/2013 19:35

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu akuzoi PS-në dhe LSI-në se po bëjnë pazare në kurriz të shqiptarëve në lidhje me miratimin e 3 ligjeve që duhen për marrjen e statusit.

“Dyshja e koalicionit të pazareve po kërkon një komerdare shpëtimi nga anija që po mbytet, e që askush nuk e di se kë ka për kapiten”, tha Bergu, sipas të cilës PD ka 230 ditë që bën apel për miratimin e 3 ligjeve.

“Koalicioni i pazareve, i gjendur në pikën më të lartë të amoralitetit përballë elektoratit të vet dhe gjithë shqiptarëve, po vazhdon të luajë bllofin me 3 ligjet e integrimit.

Pa asnjë ide, pa asnjë projekt dhe pa asnjë kauzë të shëndetshme, dyshja e koalicionit të pazareve po kërkon një komerdare shpëtimi nga anija që po mbytet, e që askush nuk e di se kë ka për kapiten.

Kjo dyshe ka paturpësinë dhe paftyrësinë të vazhdojë me tallje dhe bllofe, sikur janë ata të interesuarit e mëdhenj të votimit të 3 ligjeve të integrimit.

Shqiptarët kanë vetëm këtë vit, 230 ditë që e shohin se Partia Demokratike dhe Qeveria shqiptare i kanë bërë me qindra apele, ditë pas dite dhe orë pas ore, koalicionit të pazareve, për t’i votuar 3 ligjet, kur të duan dhe si të duan. ftojmë edhe njëherë opozitën t’i lërë mënjanë, një herë të vetme bllofet dhe pazaret në kurriz të shqiptarëve.

Edi Rama, pasi t’i kërkojë publikisht falje qytetarëve, t’í sjellë të tijët në parlament dhe t’i votojë 3 ligjet. Sepse shqiptarët nuk kanë nevojë për barcaleta e qaramanë, por për punësim, mirëqënie e integrim!”, deklaroi Bregu.

Top Channel