Bisedimet dyditore në Bruksel mes kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë u mbyllën pa arritjen përfundimtare të një marrëveshjeje për planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.

Më optimisti, Hashim Thaçi, foli për arritjen e një pajtueshmërie në parim, për të cilën dy qeveritë respektive duhet të vendosin brenda javës.

“Kemi arritur pajtueshmëri parimore sa i përket planit të implementimit mes dy qeverive tona. Ka mbetur që kjo pajtueshmëri parimore të verifikohet në kuadër të qeverive të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Janë të përcaktuara qartë periudhat kohore dhe aktorët implementues në kuadër të gjashtëmujorit të ardhshëm. Kjo marrëveshje e implementimit është në përputhje të plotë me marrëveshjen politike të 19 prillit”, deklaroi Thaçi.

Nga ana tjetër, kryeministri serb shtoi se për zbatimin e marrëveshjes duhet ngritur së shpejti një kornizë ligjore, e cila sipas tij do të sillte ndryshime në ligjet e Kosovës. Ivica Daçiç rrëfeu më në detaje pjesë të planit të zbatimit.

“Kemi rënë dakort për formimin e një ekipi përfaqësues nga veriu i Kosovës, me rolin e përgatitjes të një projekt-vendimi ligjor të Bashkësisë së komunave serbe dhe për të propozuar shefin rajonal të policisë. Në lidhje me drejtësinë, bëhet fjalë jo vetëm për gjykatën, por për të gjithë sistemin, të gjitha nivelet e gjykatave dhe prokurorëve në ato territore ku serbët janë shumicë. Me afatet kohore që vendosëm policia dhe gjykatat duhet të jenë ngritur para fundit të vitit”, deklaroi Daçiç.

Sipas deklaratës për shtyp të ndërmjetësueses Catherine Ashton, në bisedimet e fundit kryeministrat Thaçi dhe Daçiç janë pajtuar për një “tekst të caktuar”, mbi të cilin do të këshillohen para se të deklarojnë nëse e pranojnë apo jo, brenda fundit të kësaj jave. Ndërkohë, nuk dihet nëse do ketë një takim tjetër Thaçi-Daçiç-Ashton së afërmi.

Top Channel