Franz Beckenbauer, Presidenti i Nderit i Bayern Munchen, sheh favorit për fitoren e Champions League skuadrën e tij, që në finalen e madhe të Uemblit do të ndeshet me Borussia Dortmund.
“Bayern ka qenë skuadra më e mirë këtë sezon dhe këtë gjë e tregojnë 25 pikët diferencë ndaj Borussia Dortmund. Ka qenë një sezon i shkëlqyer, pa asnjë ulje. Për këtë arsye meritoi titullin kampion në Gjermani dhe meriton Ligën e Kampioneve”, theksoi legjenda gjermane e futbollit.
“Kaizeri” u shpreh i bindur se “Borussia mund të fitojë finalen e së shtunës vetëm nëse Bayern është në një ditë shumë të keqe”.
Në lidhje me krahasimet që i bëhen Bayern-it aktual me atë ku ka luajtur Beckenbauer, “Kaizeri” foli qartë: “Bayern i viteve ’70 ka qenë më i miri. Tre herë radhazi kampion Gjermanie dhe tre herë radhazi fitues i Ligës së Kampioneve, një kompeticion ku ishin vetëm kampionët dhe jo vendet e katërta të Italisë e Gjermanisë. Me kombëtaren dolëm kampion Bote dhe Europe me gjashtë lojtarë bavarezë. Më shumë nuk mund të fitonim.”
Top Channel