Qeveria vendosi që do të jetë bashkia e Tiranës autoriteti kontraktues dhe zbatues i projektit të bulevardit verior dhe të rehabilimit të lumit të Tiranës.
Ky vendim do të thotë se qeveria i hap rrugën bashkisë së Tiranës të përdorë fondin prej 65 milionë dollarësh, kredi për të cilën qeveria ka hyrë garant tek financuesit e Fondit për Zhvillim Abu Dhabi.
“Në një hark kohor, ndër më të shkurtrit, bashkëpunimi bashki e kryeqytetit me qeverinë, fryma e këtij bashkëpunimi, bëri të mundur hapjen e projekteve, të cilat firmosin Tiranën e shekullit të 21”, deklaroi kryeministri Berisha.
Marrja e vendimit për nisjen e realizimit të projektit më të madh të bashkisë së Tiranës ishte një rast që kryeministri të vinte në dukje se të njëjtin bashkëpunim dhe të njëjtën ndihmë i ka ofruar edhe ish-kryetarit të bashkisë Edi Rama.
Berisha përmendi shembullin e garancisë së kredisë nga qeveria për ndërtimin e Unazës së Tiranës, por që sipas tij u refuzua nga zoti Rama për shkak të atyre që i quan lidhje interesash me Koço Kokëdhimën.
“Qaramani iu ankua qytetarëve se qeveria nuk i dha fonde dhe unë dua t’i informoj qytetarët se qeveria i dha fonde tre herë më shumë se qeveria e tij dhe këtë e bëmë për Tiranën, se ishte normale që duhet ta bënim. Po ku shkuan fondet? Fondet u përdorën për shndërrimin e bashkisë në sipërmarrjen e partisë. Aty u punësuan 5 mijë vetë, fondet u bënë rroga, u bënë firma të paguara në emër të PS, pagesa për firma të ndryshme të marrëdhënieve publike të zotit Rama dhe rrugët nuk u rregulluan”, tha Berisha.
Në të njëjtën mbledhje qeveria caktoi bashkinë e Tiranës edhe si autoritetin që do të japë me konçesion ndërtimin e terminalit të transportit publik, i cili do të ngrihet në zonën e trenit.
“Të gjitha këto krijojnë mijëra vende pune. Këto vende pune janë jo vetëm për ato që punojnë aty. Janë dhjetëra mijëra të tjera që krijohen me gjithçka ku ndërtohet e krijohet në këto zona. Absolutisht gjysma e paralizuar e Tiranës merr jetë. Pra, për Tiranën fillon një epokë e re të cilën qytetarët e meritojnë plotësisht. Tirana duhet të jetë simboli më i arrirë për të gjitha qytetet e kombit tonë”, shtoi Berisha.
Top Channel