Anëtarë të komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën kanë përjashtuar në mënyrë kategorike çdo mundësi që personat të cilët u takojnë strukturave inteligjente të Serbisë, që funksionojnë edhe në veri të Kosovës, të mund të përfshihen në AKI.

Nënkryetari i këtij komisioni dhe deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, thotë se njerëzit që kanë qenë pjesë e një strukture inteligjente në shërbim të një vendi tjetër, në asnjë mënyrë nuk mund të jenë pjesë e një institucioni të një vendi tjetër.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallime, kanë të drejtë të konkurojnë që të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës, por njerëzit që kanë qenë pjesë e një strukture inteligjente në shërbim të një vendi tjetër, kurrësesi nuk mund të jetë pjesë e një institucioni të një vendi tjetër. Sepse këtu përfshihen natyra e punës, specifikat e punës dhe ndjeshmëria e punës dhe ai pastaj s’mund ta ketë as atë mandat, as atë rol në funksion”, ka deklaruar Demaku.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, nga e njëjta parti prej ku vjen dhe koordinatori i dialogut, ka thënë se asnjëlloj strukture e inteligjencës së Serbisë nuk është pjesë e marrëveshjes së Brukselit.

“Absolutisht jam i sigurt se asnjë lloj strukture e inteligjencës e Serbisë nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje. Nuk duhet të jetë. Nuk do të jetë. Dhe, definitivisht, kjo është tepër e qartë sepse AKI është agjencion i Kosovës. Mund të bëhen pjestarë qytetarët e Kosovës, por jo qytetarë të cilët mund të punojnë për shërbime tjera, sepse kjo është një prej kritereve themelore për të qenë pjesë e AKI-së”, ka thënë Ramadani.

Sidoqoftë, marrëveshja e arritur në Bruksel flet edhe për çështjen e strukturave serbe të sigurisë. Në njërën prej pikave parashikohet që strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat ekuivalente kosovare, por nuk specifikohen se për cilat  bëhet fjalë.

Top Channel