Ushtritë izraelite-siriane shkëmbejnë zjarr

21/05/2013 16:10

Trupat izraelite dhe siriane shkëmbyen zjarr në kufirin neutral midis dy shteteve, që ndan territoret e pushtuara të Golanit nga Siria.

Sipas Ministrisë Izraelite të Mbrojtjes, ushtria izraelite u kundërpërgjigj, pasi një automjet u godit me një breshëri plumbash nga ana siriane e kufirit.

Nga ana e tij, Damasku konfirmoi hapjen e zjarrit, por u justifikua duke thënë se ushtarët kishin qëlluar dhe shkatërruar një automjet, që kaloi kufirin neutral dhe u fut brenda territorit sirian.

Marrëdhëniet midis Sirisë dhe Izraelit u përkeqësuan në mënyrë dramatike pas bombardimit të disa strukturave ushtarake në Damask, nga ana e gjuajtësve izraelitë, më parë gjatë majit.

Ushtritë e të dy vendeve janë përfshirë në dyluftime në një seri incidentesh gjatë javëve të fundit.

Izraeli pushtoi Lartësirat e Golanit gjatë luftës së vitit 1967, pasi fitoi një luftë 6-ditore të imponuar nga një koalicion vendesh arabe, midis të cilëve edhe Siria.

Këto territore u aneksuan zyrtarisht në vitin 1981, një lëvizje e panjohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe Siria, e cila vazhdimisht ka ushtruar presion për rikthimin e këtyre territoreve.

Top Channel